Rritja e rasteve me COVID-19/ Presidenti Meta: Nevojitet strategji e re, qytetarët të respektojnë udhëzimet

“Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka shprehur sot ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr.Shkjaut, kolegëve dhe mbarë komunitetit pukian.

“Ndarja nga jeta këtë mëngjes e Dr.Hysni Shkjaut, i cili për 40 vite u shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm qytetarëve të Pukës, është një tjetër humbje e madhe për sistemin tonë shëndetësor”, është shprehur Meta.

“Çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin dhe ekonominë”, ka shtuar Meta.

Ndaj, ka vijuar ai, “përsëris thirrjen e fortë për rëndësinë e rritjes së masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari”.

“Është tepër i domosdoshëm forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve të bëra publike”, ka theksuar presidenti Meta.

ATA

Aktualitet

Archives