Rëndohet gjendja e përmbytjeve në Shkodër

Situata në zonën e përmbytjeve në Shkodër vazhdon të jetë e rëndë dhe Ministria e Mbrojtjes ka shtuar forcat operacionale dhe mjetet. Por siç raporton Bashkia, gjatë natës kanë rënë disa shtylla elektrike dhe fshatra të tëra janë pa energji elektrike.

Ajo kërkon ndërhyrjen e OSHEE për të marrë masa në një situatë të tillë. Ndërkohë sipërfaqja e përmbytur vazhon të jetë rreth pesë mijë ha tokë, dhe 400 shtëpi janë të rrethuara nga uji.

Në Dajç kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit, Shirqit dhe Darragjatit, por nga raportimi i Ministrisë së Mbrojtjes vetëm gjatë natës janë vendosur mbi 2 mijë thasë me rërë në argjinaturën e Pentarit. Rruga Shirq-Darragjat, rruga Belaj-Pentar, Rruga Bishti i Qarrit dhe Urrela janë të bllokuara.

Në disa shkolla në ambientet e brendshme të shkollës ka prezencë uji. Në Anën e Malit ujësjellësat janë jashtë funksionit dhe banorët kanë nevoja urgjente për furnizimin me ujë të pijshëm. Një lagje në Obot është plotësisht e bllokuar. Në Berdicë, gjithashtu, janë shtuar problemet. Në rrugën nacionale ka dalë uji dhe kërkohet ndërhyrje.

Situatë ka edhe në Gur të Zi dhe në Velipojë. Kurse në qytetin e Shkodrës në zonën e Livadheve ndodhen mbi 70 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre. Me shumë vështirësi kalohet me makinë ushtrie, ndërsa në disa zona, kalimi bëhet i mundur vetëm me varkë./abcnews

Aktualitet

Archives