Reforma Zgjedhore, Kreu i PD: U minua besimi, hapat e mëtejshëm në ditët në vijim

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se opozita ka treguar vullnet për Reformën Zgjedhore, por me atë që ndodhi më 17 maj Partia Socialiste ka hedhur në erë besimin.

Basha duke folur për mediet, në përfundim të protestës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të zhvilluar pasditen e sotme, theksoi se PD është gati për lista të hapura dhe ndryshim sistemi.

Basha shtoi se në ditët në vazhdim opozita do të përvijojë hapat e mëtejshëm për t’u dhënë shqiptarëve lirinë e votës dhe t’u mundësohet atyre që t’i drejtohen kutive të votimit.

“PD dhe opozita kanë pasur dhe kanë treguar vullnet për Reformën Zgjedhore. Ajo që ndodhi në 17 maj ishte se PS ka hedhur në erë besimin. Nuk kam parë asnjë sistem amerikan për reformën zgjedhore. Ne do jemi gati për lista të hapura dhe ndryshim sistemi. Për sistem mazhoritar të pastër. Për kufizim të mandateve të deputetëve, të kryeministrit. Por asgjë s’do të ketë kuptim, nëse në krye do të jetë kjo qeveri hajdute”, tha Basha.

“Edi Rama është investuar që të ndalë rrugën evropiane të Shqipërisë, është investuar të ndalë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtë e vërtetoi më 17 maj, ku dhunoi të drejtat e qytetarëve. Dhe kjo i jep betejës sonë 3-vjeçare një apel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në ditët në vazhdim opozita do të përvijojë hapat e mëtejshëm që qëllimi ynë për t’u dhënë shqiptarëve lirinë e votës të realizohet një orë e më parë dhe t’u mundësojmë atyre që t’i drejtohen kutive të votimit për të shporrur një qeveri uzurpatore”, – tha Basha.

“PD dhe opozita kanë treguar vullnet për Reformën Zgjedhore, sepse duam që shqiptarët t’i drejtohen kutive të votimit. Sot nuk është përgjegjësia jonë. Me atë që ndodhi më 17 maj, PS dhe Edi Rama kanë hedhur në erë besimin në një proces. Opozita nuk mund të jetë fasadë”, u shpreh ai.

Aktualitet

Archives