Reforma Zgjedhore/ Këshilli Politik ende pa konsensus për KQZ-në

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, dhe përfaqësues i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri u shpreh pas mbledhjes së sotme, se opozita po kthehet brenda procedurave parlamentare për riformulimin e KQZ-së.

Pas takimit në Këshillin Politik në një prononcim për mediet, Gjiknuri u shpreh se “gjëja e parë që dua të përshëndes është se PD po vjen tek skema brenda Kuvendit. Por, nga ana tjetër, propozimet e saj, me atë që u deklarua si skemë e ngjashme apo formulë e ngjashme me atë të sistemit të drejtësisë nuk qëndrojnë, sepse komisioni që propozojnë është komision përfaqësuesish partie. Ne mendojmë se Kuvendi i Shqipërisë dhe deputetët duhet të jenë të përfaqësuar në këtë panel përzgjedhës”.

“Procedura parlamentare siguron mjaftueshëm garanci për procesin. Dua të them se mazhoranca do të qëndrojë dhe do të garantojë që ekspertët që do të konkurrojnë për këto pozicione në KQZ do të kenë mbështetjen e mazhorancës nëse kanë edhe mbështetjen e PD. Mendoj se brenda skemës së komplikuar, që duhet thjeshtuar, duhet të ketë zgjidhje. Ne i kërkuam PD të reflektojë pjesëmarrjen e deputetëve në këtë proces, por me mekanizma që garantojnë reflektimin e vullnetit mbështetës për kandidaturat nga PD”, – u shpreh Gjiknuri.

“Them se është e mundur se mund të gjendet ky kompromis dhe jam i bindur që kjo formulë do të zgjidhet shumë shpejt si dispozitë tranzitore. Mbase ende ndonjë ide mund ta japim edhe ne, por nuk ishte vendi aty. E rëndësishme është që opozita do të jetë e garantuar që kandidaturat që plotësojnë kriteret nëse mbështeten prej saj do të garantohen nëpërmjet votës së mazhorancës”, – tha ai.

“Besoj sa të gjejmë kompromisin për këto që folëm, brenda pak ditësh duhet ta mbyllim. Afati i Komisionit të Reformës Zgjedhore është brenda 30 qershorit. Nëse zgjidhet çështja e KQZ-së, kemi shumë pak çështje të mbetura”, – theksoi Gjiknuri.

Në lidhje me teknologjinë, Gjiknuri tha se për procedurat që kërkonte opozita të vendoseshin në ligj, ka ardhur një përgjigje e specializuar nga Agjencia e Prokurimit Publik dhe opozita reflektoi dhe do të zbatojmë të njëjtën formulë që kemi zbatuar në vitin 2013, pra duke diktuar disa afate, por natyrshëm ne nuk mund të përcaktojmë me Kod Zgjedhor procedura tenderash, dhe besoj se pati një reflektim nga ana e opozitës. “Disa herë e kthyen dhe në qesharake, por ky këshill nuk merret me tendera, por fatkeqësisht tema që solli opozita u keqinterpretua dhe u bë dhe qesharake për disa, por e vërteta është se Partia Demokratike reflektoi në këtë drejtim”, – u shpreh Gjiknuri.

Në përfundim të tryezës së Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore, foli për mediet edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi i cili u shpreh se marrëveshja e 5 qershorit duhet të zbatohet për të siguruar të gjitha garancitë për emërimin e anëtarëve të KQZ.

“Ne kishim bërë një propozim tjetër më parë. Sot pikërisht për të treguar konstruktivitetin e opozitës dhe me qëllim që marrëveshja të zbatohet pa asnjë mëdyshje, por mbi të gjitha duke siguruar të gjitha garancitë e procesit të emërimit të anëtarëve të KQZ, që nga një anë do të jenë profesionistë me integritet të lartë, dhe nga ana tjetër do të gëzojnë respekt te spektri politik dhe do të shërbejnë në interes të publikut, gjithashtu do të sigurojnë garancitë që KQZ në veprimtarinë e tij rregullator, pra në nxjerrie e akteve nënligjore dhe në vendimmarrjen e tij nuk do të kemi mazhorancë që do shkatërrojë zgjedhjet”, – u shpreh Bylykbashi.

“Mazhoranca përsëri nuk e pranoi, duke arsyetuar që ky sistem i propozuar prej nesh politizon, por ky që propozojmë ne është ai i Reformës në Drejtësi i certifikuar nga Komisioni i Venecias. I ftuam që të reagojnë në mënyrë konstruktive, që KQZ të ngrihet sa më shpejt për t’i hapur rrugë implementimit të identifikimit biometrik në të gjithë vendin”, ATA

Aktualitet

Archives