Reforma Zgjedhore/ Ambasadorja ShBA: Palët nuk duhet të vazhdojnë me kërkesat përtej rekomandimeve të OSBE/ODIHR

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, deklaroi sot pas takimit me anëtarët e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore se nëse ka çështje jashtë rekomandimeve të ODIHR, për të cilat palët bien dakord janë të mirëpritur, por nëse nuk ka dakordësi për gjërat jashtë rekomandimeve apo për gjëra që bien ndesh me rekomandimet, palët duhet të heqin dorë prej tyre.

“Kemi shpenzuar rreth 9 orë me të gjithë anëtarët e Këshillit Politik. Ka qenë një ditë e gjatë dhe e vështirë, por është bërë përparim, kjo ka qenë e vështirë për të gjitha palët e përfshira”, u shpreh ambasadorja Kim.

Në një prononcim për mediet, Kim theksoi se “të gjithëve u është kërkuar që të japin, në mënyrë që Shqipëria të fitojë. Shqipëria, mikja dhe aleatja jonë është në një fazë kritike të historisë së saj. 25 marsi ishte një pikë kthese. Është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Europë”.

“Sikurse jeni në dijeni Bashkimi Europian ka vendosur një sërë kushtesh në mënyrë që Shqipëria të nisë negociatat për anëtarësim në BE, mes tyre është Reforma Zgjedhore që është në përputhje me rekomandimet e ODIHR”, – theksoi Kim.

Ambasadorja Kim u shpreh se “do të ritakohemi nesër që Shqipëria të mund të përmbushë rekomandimet e ODIHR, në mënyrë që Shqipëria të jetë një anëtare me të drejta të plota në BE”.

“Nëse ka çështje jashtë rekomandimeve të ODIHR, për të cilat palët bien dakord janë të mirëpritur, por nëse nuk ka dakordësi për gjërat jashtë rekomandimeve apo për gjëra që bien ndesh me rekomandimet, ju duhet të hiqnin dorë prej tyre”, theksoi ambasadorja amerikane.

“Sikurse e kam thënë, ne duam që Shqipëria të jetë në Europë, kjo është dëshira e SHBA dhe popullit shqiptar”, – tha Kim, duke shtuar se SHBA do të bëjnë gjithçka me fuqinë e tyre për të vazhduar e për të mbështetur popullin shqiptar.

ATA

Aktualitet

Archives