Reforma sfiduese e Shqipërisë në drejtësi dhe makinacionet franceze

Kandidaturat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për t’u bërë anëtare të Bashkimit Europian janë bllokuar nga Franca, që po shfrytëzon dëshirën e disa vendeve anëtare të BE-së për të lejuar anëtarësimin e të dy vendeve të vogla si mjet këmbimi me shpresën për të siguruar lëshime ndaj axhendës së saj, shprehen në një shkrim analistët e Qendrës për Studimet Lindore, sipas intellinews.com.

Më 18 qershor, Këshilli i Bashkimit Europian shtyu sërish vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Të dy vendet i kanë përmbushur të gjitha kushtet e vendosura ndaj tyre për hapjen e bisedimeve dhe ndërkohë Këshilli i ka konfirmuar ndryshimet atje. Një vendim pritej të merrej në qershor të këtij viti. Por, ky afat ka ardhur dhe ka kaluar.

Gjermania gjithashtu e ka zvarritur këtë çështje, e shpërqendruar nga politika e saj e brendshme dhe lodhja e përgjithshme nga zgjerimi i unionit. Dështimi i Berlinit për të shprehur një qëndrim lidhur me çështje proceduriale ishte arsyetimi zyrtar i tij për shtyrjen e vendimit. Zyrtarisht, mbështetja e Gjermanisë për negociatat e anëtarësimit brenda BE-së kushtëzohet nga miratimi i Bundestagut dhe debati lidhur me këtë çështje është shtyrë për në vjeshtë. Por, brenda dy partive të mëdha, CDU-së dhe CSU-së, ka një skepticizëm në rritje lidhur me mundësitë e pranimit të anëtarëve të rinj në BE, pjesërisht për shkak të fuqizimit të ekstremit të djathtë dhe ndjeshmërisë në rritje lidhur me çështjen e emigrantëve, që ka lindur bashkë me këtë.

Shqipëria i ka përmbushur kushtet e vendosura nga BE-ja, përfshirë edhe realizimin e një reforme sfiduese në sistemin gjyqësor (dhe shkatërrimin e fushave të mëdha të marijuanës në pjesën jugore të vendit). Maqedonia e Veriut ka zgjidhur debatin me Greqinë lidhur me emrin e saj e madje ka zhvilluar edhe paradën e parë të homoseksualëve në vend këtë fundjavë si dhe ka zgjeruar të drejtat e pakicës së saj shqiptare.

Por, është Franca ajo që ka shkaktuar pjesën më të madhe të problemeve. Në përgjithësi, anëtarët veriorë dhe perëndimorë të BE-së nuk janë edhe aq të shqetësuar lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa ato jugorë dhe lindorë, përfshi edhe Austrinë dhe Italinë, janë mbështetës më aktive të kësaj ideje, pjesërisht edhe për faktin se ata e përdorin veçanërisht Shqipërinë si baza të industrisë së prodhimit me kosto të ulët.

“Qeveria franceze është mosbesuese ndaj idesë së pranimit të ndonjë vendi të ri para kryerjes së një procesi reformimi të të gjithë BE-së. Për më tepër, Franca nuk e konsideron Ballkanin Perëndimor si rajon prioritar të politikës së BE-së dhe i shikon lëshimet lidhur me këtë çështje si mjet negocimi me vendet e tjera anëtare të BE-së”, shprehen Marta Szpala dhe Ryszarda Formuszewicz nga Qendra për Studimet Lindore në një shkrim em titull “BE-ja e përçarë lidhur me politikën e zgjerimit” dhe i botuar më 28 qershor.

Me iniciativë të Polonisë, më 11 qershor, vendet pro zgjerimit paraqitën një deklaratë të përbashkët duke bërë thirrje që negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të hapen në qershor 2019, duke u shprehur se nëse bisedimet nuk fillojnë, kjo do të ketë një impakt negativ në efektshmërinë e politikave të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe situatën në rajon. Megjithatë, ekspertët e OSW-së thanë se arritja e një kompromisi do të jetë e vështirë dhe nuk besojnë se do të arrihet një e tillë deri në vjeshtë.

Situata politike në BE është delikate pasi BE-ja është duke përcaktuar se kush do të zërë pozicionet kyçe në hierarkinë e saj. Berlini është hezitues për të nxitur hapjen e negociatave ndërsa Franca po përdor këtë çështje si një lëshim në debatin mbi përcaktimin e pozicioneve kryesore të BE-së që do të përcaktojnë të ardhmen Unionit.

“Berlini ishte gjithashtu i angazhuar që të shmangte rritjen e debatit me Francën në këtë zonë në çastin që po merren vendime thelbësore në lidhje me të ardhmen e Komisionit Europian dhe përcaktimin e posteve të lidershipit në institucionet e BE-së”, thonë Szpala dhe Formuszewicz.

Vonesa thekson mungesën e konsensusit brenda BE-së në lidhje me prioritetet e politikave kundrejt shteteve të Ballkanit Perëndimor. Aderimi supozohej që të ishte i bazuar mbi meritat dhe vendet kandidate duhej thjesht të përmbushnin reformat që BE-ja u kishte caktuar. Por është shumë më e vështira nga se duket.

Sipas raportimeve nga Komisioni Europian, as Maqedonia e Veriut as Shqipëria nuk ndryshojnë edhe aq shumë për sa i përket përgatitjes së tyre në raport me Malin e Zi dhe Serbinë, negociatat me të cilët kanë filluar respektivisht në vitin 2012 dhe 2013.

Analistët shqetësohen se ngurrimet e BE-së do të destabilizojnë qeveritë e rajonit. Maqedonia e Veriut vuajti një marrëveshje të dhimbshme duke vendosur që të ndryshojë emrin e saj dhe nëse vlerësimi për të filluar rrugën drejt BE-së nuk vjen atëherë qeveria do të vuajë një dëmtim të besueshmërisë, sikurse do të ndodhë edhe me imazhin e BE-së në Maqedoninë e Veriut.

“Kjo do të dobësojë gjithashtu epërsinë e BE-së mbi qeveritë e shteteve të rajonit në aspektin e implementimit të reformave apo zgjidhjes së çështjeve dypalëshe. Mbi të gjitha, kjo prek konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës, që ka një impakt thelbësor në stabilitetin e rajonit. Mungesa e qëndrueshmërisë në politikat e BE-së është përdorur gjithashtu nga qarqet kundër perëndimit dhe vende si Rusia në mënyrë që të dobësojnë aspiratat euro-atlantike të vendeve në rajon”, theksojnë Szpala dhe Formuszewicz./ata.gov.al/

Aktualitet

Archives