Rama: “Taksa 100% vendimi i duhur në momentin e duhur”/Gabim strategjik që Haradinaj refuzoi propozimin e Macron

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, taksa 100% ndaj prodhimeve serbe ishte gjëja e duhur në momentin e duhur për të vendosur alarmin për ngecjen e një procesi, ku liberalizimi i vizave është një simbol.

“Taksa 100% ishte një vendim, i cili mund të konsiderohej i gabuar, por në këtë aspekt ishte gjëja e duhur në momentin e duhur për të vendosur alarmin, për të vendosur me dhunë në axhendën e atyre që duhej ta dëgjonin problemin e mosrespektimit nga ana e Serbisë të një sërë dakordësish të paravendosura dhe problemin e ngecjes të një procesi në tërësi, ku liberalizimi i vizave është një simbol”, tha Rama në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova.

Rama tha se taksa bëri që Kosova të ulej në tavolinë me Francën dhe Gjermaninë.

“Taksa e solli që je në tavolinë me Makronin dhe Merkelin. I është kërkuar pezullimi në frengjisht. Ramushi flet frengjisht shumë mirë dhe Macron i ka thënë më jep 4 muaj kohë, pezullo taksën dhe serbët do të pezullojnë fushatën e njohjeve. Dhe nëse në 4 muaj nuk do ndodhë asgjë, unë do të heq veton për vizat”, tha Rama.

“Merkeli i ka thënë: “Jam e gatshme të kontribuoj që të ndodhë kjo. Të lutem, të lutem pezullo taksën”. Erdhi momenti të marrësh atë që të duhet të marrësh. I thashë: “Ramush, hyr brenda, janë të gjithë të tjerët aty, deklaro pezullimin e taksës. Dialogu ja ku është, ky është takimi real. Jo dua njohje. Çfarë njohje, kur u hodhën bomba nga gjithë aleanca më e madhe e botës dhe historia u zhvillua në mënyrë dramatike. Këto janë gabime strategjike që kushtojnë shumë. Në politikë çfarë sjell një moment, nuk e sjell një mandat”, u shpreh Rama.

“Pas asaj filloi një defaktorizim dhe një lloj lodhje dhe acarim dhe nënvlerësimi që këta s’dinë çfarë kërkojnë që s’e thoshte më presidenti i Serbisë, por të tjerët”, u shpreh Rama.

Duke folur për marrëdhënien e tij me presidentin e Serbisë, Rama tha se, “është marrëdhënie e krijuar në rrethana detyruese, si rezultat i të qenit kryeministër i Shqipërisë dhe ai atëherë i Serbisë, dhe në funksion të bindjes sime që shqiptarët dhe serbët në kushtet kur lufta ka mbaruar dhe kemi zgjedhur paqen, duhet të synojmë shumë larg. Synimi duhet të lidhet me mosdakordësinë e madhe, e cila qëndron në mes. Kemi rënë dakord të mos biem dakord për këtë. Dhe për këtë e di ai, siç e di dhe unë, që për këtë jemi në luftë diplomatike, nuk diskutohet, por ama duke ndarë një ide që këtu duhet ecur, duhet ecur dhe hapësirat e tjera duhen shfrytëzuar, dhe koha kalon, popujt jetojnë”.

“Ti nuk e zgjedh fqinjin. Po të kishin mundësi të zgjidhnin fqinjët besoj popujt në këtë rajon do kishin zgjedhur të tjerë. Fqinjin nuk e zgjedh. Kundërshtarin nuk e zgjedh, i ke përballë”, tha Rama.

“Aleksandar Vuçiç është president i Serbisë, që do të thotë është aty për të mbrojtur interesat e Serbisë sipas asaj që ai mendon, dhe patjetër është aty për të shfrytëzuar çdo hapësirë dhe për të bërë çdo manovër në funksion të këtij interesi”, tha Rama.

“Deri tani mendoj që kemi humbur shumë terren për krejt të kundërtën e asaj që thuhet. Jo se kemi qenë shumë të barrikaduar, por se kemi qenë të barrikaduar gabim”, tha Rama.

ATA

Aktualitet

Archives