Rama apel qytetarëve: Zbatoni rregullat, rrezikojmë të kthehemi pas

Kryeministri Edi Rama u bëri apel sot qytetarëve dhe bizneseve që të zbatojnë masat kundër COVID-19, ndërsa vuri në dukje se “prej 3 ditësh kemi më shumë shtrime në spital sesa në kulmin e agresionit të koronavirusit, kur ishim mbyllur nëpër shtëpi”.

Në një komunikim publik lidhur me situatën kundër COVID-19, Rama tha se “po rrezikojmë”. “Ju lutem, mos e harroni që nuk ka ikur”, iu drejtua Kryeministri qytetarëve.

Rama tha se numrat e të infektuarve po rriten dhe po ashtu po rriten shtrimet në spital. Ai theksoi se “ajo që është më shqetësuese është se trendi në rritje po vazhdoi kështu jo vetëm mund të na sjellë dëme të rënda në jetë njerëzish dhe në shëndetin e shumëkujt, por edhe largqoftë, do të na detyrojë të kthehemi mbrapsht, tek i vetmi ilaç i sigurt deri në daljen e vaksinës, karantina”.

“Tani si do ia bëjmë? Do bëhemi njerëz dhe të respektojmë ato rregulla të thjeshta sado të bezdisshme, apo do e bëjmë si lopa kur thotë populli, që i bie me shkelm kovës së qumështit pasi e mbush? Nuk dua të bëhem fare i bezdisshëm dhe as të përsëris ato që kam përsëritur deri në mërzi për të gjithë ju, por jam i shqetësuar, jam shumë i shqetësuar”, tha Rama.

Ai theksoi se “nuk kam ndërmend të bëj sehir se si shumëkush e ka harruar fare se armiku i padukshëm nuk ka ikur”.

Kryeministri vuri në dukje “se prej 3 ditësh kemi më shumë shtrime në spital sesa në kulmin e agresionit të tij, kur ishim mbyllur nëpër shtëpi”.

“Nuk dua ta bëj me të keq gjënë e duhur në këtë situatë. Nuk dua të lëshojmë ofensivën ndëshkimore për bizneset që nuk respektojnë protokollet. E di mirë se sa kanë vuajtur dhe se sa plagë kanë për të kuruar, por nuk kam ndryshuar mendim. Në fund të fundit ekonomia bie dhe ekonomia ringrihet prapë, të vdekurit nuk ringjallen. Nuk dua as që ndëshkimet të jenë e vetmja rrugë edhe për qytetarët që e shfaqin me kaq moskokëçarje harresën dhe indiferencën ndaj rrezikut real të armikut të padukshëm, pikërisht tani që jemi hapur”, tha Rama.

“E di mirë, – vijoi ai, – se sa kanë duruar dhe se sa kanë kontribuar në këtë luftë kur u detyruam të gjithë të hidhemi në mbrojtje brenda mureve të shtëpive dhe kur solidariteti i pashoq na nxori faqebardhë”.

“Nuk dua më as ta mendoj, jo më ta them fjalën ‘karantinë’ përsëri, dhe lëre pastaj të lëshojmë kushtrimin e rimbylljes. Por nëse vazhdojmë kështu dhe nuk ndryshojmë sjellje të gjithë urgjent, që sot, menjëherë, dhe nëse numrat e të shtruarve vazhdojnë të rriten dhe rritet largqoftë edhe numri i atyre që kanë nevojë për atë tubin e frymëmarrjes, atëherë me keqardhje, por realisht nuk do të kemi çfarë të bëjmë dhe do të duhet të fillojmë nga e para, siç po ndodh fatkeqësisht në disa vende të tjera dhe jo shumë larg nesh”, tha Rama.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë gjënë e duhur për familjen dhe për njëri-tjetrin, për Shqipërinë. “E kemi vetë në dorë, secili prej nesh e ka në dorë, që të bëjë gjënë e duhur dhe të gjithë së bashku duke bërë gjënë e duhur të shikojmë përpara, të ringrihemi shpejt, të shërohemi nga plagët dhe të bëjmë atë që na takon”, tha ai.

Aktualitet

Archives