Qeveria përcakton masën e financimit për bashkësitë fetare në vend

Qeveria përcaktoi sot masën e financimit në buxhetin e vitit 2019, për bashkësitë fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave.

Në vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë, përcaktohet masa e financimit prej 109 milionë lekësh, nga buxheti i vitit 2019, për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare.

Në bazë të këtij vendimi, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31, 824, 000 lekë, prej të cilave 11, 544, 000 lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 74 punonjës të administratës dhe 20, 280, 000 lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 130 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

Ndërsa Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25, 740, 000 lekë, prej të cilave 20, 592, 000 lekë shkojnë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 132 punonjës të administratës dhe 5, 148, 000 lekë shkojnë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 33 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25, 740, 000 lekë, prej të cilave 6, 240, 000 lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të administratës dhe 19, 500, 000 lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 125 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25, 696, 000 lekë, prej të cilave  4, 056, 000 lekë për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 26 punonjës të administratës; 14, 640, 000 lekë për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit dhe 7 milionë lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit. Shuma do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë – preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2019, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

Kalimi i fondit të përcaktuar bëhet njëherësh brenda muajit prill të vitit 2019. ata

Aktualitet

Archives