Programi; Axhenda Shqiptare…..Ambasadori turk në Shqipëri: “Rroftë vëllazëria turko-shqiptare”

-Në Tiranë dhe qytete të tjera shqiptare ceremoni zyrtare dhe veprimtari kulturore me rastin e Ditës së Sovranitetit të Turqisë dhe Festës së Fëmijëve

Dita e Sovranitetit Kombëtar të Turqisë dhe Festa e Fëmijëve, u festua me entuziazëm në oborrin e Ambasadës turke në Tiranë me pjesëmarrjen e fëmijëve turq dhe shqiptarë.

Ceremonia filloi me interpretimin e himnit kombëtar të Turqisë dhe himnin kombëtar të Shqipërisë. Gjatë kësaj ceremonie përshëndeti ambasadori i Turqisë, Ahmet Murat Yörük, i cili duke iu drejtuar fëmijëve të ardhur nga Turqia për koncertin theksoi se nxënësit e orkestrës do të fitojnë admirimin e të gjithë shikuesve.

Ju sonte do të jeni krenaria jonë në këtë ditë feste për të gjithë ne, të cilën themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, ua dhuroi të gjithë fëmijëve, duke parë tek ata të ardhmen e vendit. Mustafa Kemal Ataturku dhe bashkëluftëtarët e tij në kushtet e rrethimit nga të katër anët, më 23 prill 1920 themeluan Parlamentin e Turqisë. Turqia e cila duke marrë forcën nga populli i saj zhvillohet vrullshëm dhe në mënyrë dinamike. Sot edhe ju si diplomatë artistë do ta përfaqësoni sa më mirë vendin tuaj“, tha ambasadori Yörük.

Në programin artistik që ishte pjesë e aktivitetit performuan këngë, valle dhe recituan poezi, fëmijët jetimë shqiptarë të cilët mbështeten nga Fondacioni Alternativa e së Ardhmes (ALSAR).

Pjesë e aktivitetit ishin edhe përfaqësuesit e institucioneve turke në Shqipëri.

Programi vazhdoi me këngë dhe valle të interpretuara nga fëmijët. Në përfundim të ceremonisë të ftuarit u gostitën me ‘döner turk’.

Nga ana tjetër, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë  u mbajt koncerti me orkestrën simfonike të fëmijëve të Bashkisë turke Tepebashë organizuar nga Ambasada turke në bashkëpunim me institutin turk “Yunus Emre”.

Orkestra Simfonike e Fëmijëve, “Dy duar kanë një zë” e cila përbëhej nga 7 mësues dhe 68 nxënës, interpretuan 9 pjesë muzikore…

Në këtë aktivitet morën pjesë Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, përfaqësues të institutit “Yunus Emre” dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, ambasadori Yörük vuri theksin tek e veçanta e kësaj date dhe vlera që ka kjo datë për Turqinë dhe fëmijët.

“Dita e hapjes së Parlamentit, 23 prilli u shpall Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe Festa e Fëmijëve. Meqenëse në këtë ditë u projektua e ardhmja e Turqisë, Mustafa Kemal Ataturku 23 Prillin ua dhuroi si festë të ardhmes së Turqisë dhe të gjithë popujve, fëmijëve turq dhe të gjithë fëmijëve në botë. Në çdo 23 prill në Turqi, në mënyrë simbolike ua lëshojmë fëmijëve të gjitha kolltuqet zyrtare në të gjitha institucionet, në mënyrë që ata të mësohen që tani me drejtimin e shtetit. Ne 23 prillin gjithmonë e festojmë së bashku me fëmijët e ardhur nga vende të ndryshme nga të katërta anët e botës”, deklaroi ambasadori Yörük.

Urimi i tij i mbylljes ishte rroftë vëllazëria turko-shqiptare.

Ndërsa, ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro uroi mirëseardhjen e të ftuarve në koncert dhe vlerësoi përpjekjet për organizimin e një aktiviteti të tillë.

Mirë se keni ardhur në këtë koncert shumë të veçantë siç është festa e madhe e popullit turk. Zoti Ambasador keni pasur një ditë të shkëlqyer për të organizuar këtë event për fëmijët shqiptar dhe turq. Kur 1 kryetar bashkie mban 1 orkestër në qytetin e tij ai mendon për të ardhmen e qytetit, por kur ai krijon dhe mban 1 orkestër mendon për të ardhmen e fëmijëve të tij. Kemal Ataturku është figurë e madhe për Turqinë, rajonin, por edhe për ne shqiptarët. Përtej luftës që ka bëre është shumë i rëndësishëm mesazhi që ka dhënë, duke menduar për fëmijët. Qofshim të bashkuar në emër të kulturës, duke qenë se sot përveç kësaj festë është dhe dita e librit”, përfundoi ministrja Kumbaro.

Në pjesën e fundit të koncertit kori i përbërë nga 60 nxënës të Shkollës së Mesme Artistike “Jordan Misja” shoqëruan orkestrën me dy këngë shqiptare dhe dy këngë turke.

Po në kuadër të aktiviteteve të 23 Prillit-Festës së Fëmijëve,  në kopshtin “Mustafa Kemal Ataturk” në Orikum të Vlorës, institucion bashkëpunëtor me Kryesinë e Grupit të Shqipërisë të përbërë nga stafi i Komandës së Forcave Detare Turke, u zhvillua veprimtaria e Ebrusë, nëpërmjet institutit turk në Shqipëri “Yunus Emre”.

Në këtë kuadër afërsisht 50 fëmijë të kopshtit mësuan në atelie mbi Ebrunë.
Fëmijët u mrekulluan me artin e Ebrusë, art me të cilin u njohën për të parën herë duke kaluar momente argëtuese, te lumtura dhe të bukura.

Gjithashtu në kuadër të aktiviteteve për 23 Prillin, Ditën e Sovranitetit Kombëtar  të Turqisë dhe Festës së Fëmijëve, në  Shkodër u shfaq filmi i parë kinematografik turk për fëmijë “RGG AYAS”.

                                                                            ***

 Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk nisi të martën turin e tij ballkanik nga Tirana.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk e mbështet Shqipërinë në hapat që i duhen për tu bërë në të ardhmen pjesë e Bashkimit Evropian ndonëse këto negociata nuk janë të lehta u shpreh ai. Në deklaratën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, presidenti Tusk tha se sfida e radhës është të bindim të gjitha vendet që në qershor të votojnë pro Shqipërisë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk nisi të martën nga Tirana turin e tij treditor në Ballkan. Në ndalesën e tij në Tiranë, presidenti i KiE i shprehu mbështetjen e tij  kryeministrit Edi Rama në procesin e integrimit.

“…Negociatat për anëtarësim me BE nuk janë të lehta, mund t’ju them nga përvoja ime politike e personale se ato janë ia vlejnë çdo përpjekje. Kur vendi im nisi bisedime të ngjashme rreth 20 vite më parë e dinim se shumëçka duhet të ndryshonte në Poloni. Vendosmëria e plotë e klasës politike dhe mbështetja e njerëzve të zakonshëm e bëri realitet. Është ëndrra ime që Shqipëria të ndjekë të njëjtën rrugëtim për në BE si atdheu im…”.
Nga ana e tij, Kryeministri shqiptar, Edi Rama u shpreh i vetëdijshëm për sfidat që e presin Shqipërinë, por që theksoi se këto sfida janë të kapërcyeshme vetëm nëpërmjet hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në.

“…Në emër të të gjithëve pa dallim, sepse pa dallim është bindja europiane e shqiptarëve ta falënderoj Presidentin e Këshillit Europian dhe me plot gojën një mik i shtrenjtë i shqiptarëve, i Shqipërisë dhe fatmirësisht i imi personalisht për këtë vizitë në kohën e duhur kur Shqipëria ka marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim dhe siç i thashë edhe presidentit që të gjithë shqiptarët presin me padurim të vazhdojmë në këtë rrugë dhe të kemi sa më parë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare për këtë rekomandim.

Ne rekomandimin e shikojmë jo si pikëmbërritje, por si përfundimin e një faze dhe çeljen e një faze të re edhe më sfiduese dhe të vështirë në rrugën drejt BE-së.

Ne jemi të vetëdijshëm për të gjitha sfidat dhe vështirësitë që na presin në këtë proces, ashtu sikundër kemi bindjen e plotë se këto sfida janë të kapërcyeshme vetëm përmes këtij proces bashkëpunimi dhe ndërveprimi që sot na ka sjellë në këtë pikë mes vendit tonë komisionit dhe vendeve anëtare te BE.

Dua ta falënderoj presidentin, sepse i përket asaj shkolle të besimit tek Evropa dhe atyre përfaqësuesve të denje projektit të etërve themelues të BE-së dhe si i tillë i përket atij rrethi miqsh dhe partnerësh të nderuar që vazhdimisht e kanë inkurajuar dhe kanë mbështetur procesin e transformimit të Shqipërisë.

Për ne ky proces lidhet me të ardhmen tonë për të ndërtuar Shqipërinë evropiane këtu në Shqipëri. Pra është një proces që kërkon sakrifica durim të madhe dhe kohë, por që është një proces ku ne jemi përfshirë jo se na i kërkojnë të tjerët por sepse na i kërkon interesi ynë.

Me Presidentin që është një njohës i mirë i rajonit folëm edhe për procesin e thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe nënvizova se ky proces transformues për rajonin është i lidhur me perspektivën europiane të vendeve të rajonit.

U ndalëm edhe tek reforma në drejtësi dhe rezultatet e Vettingut, si edhe diskutuam për ecurinë e kësaj reforme dhe gjithë reformave të tjera…

Jam i bindur se dielli i Shqipërisë do t’ia lehtësojë peshën e grisë së Brukselit prej nga ai sapo ka ardhur…”.

***

– Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TİKA rikonstrukturon çerdhen e vetme në qytetin e Përrenjasit

Me pjesëmarrjen e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, ambasadorit të Turqisë në Tiranë, M. Ahmet Yörük, Koordinatorit të TİKA-s Tiranë, N. Özay Özütok, kryetares së bashkisë Përrenjas, Miranda Rira, deputetë dhe familjarëve të fëmijëve, u inaugurua çerdhja e vetme në qytetin e Përrenjasit, pas përfundimit të rikonstruksionit dhe mobilimit tërësor realizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TİKA.
Projekti i rikonstruksionit dhe mobilimit të çerdhes me kapacitet 80 fëmijë vjen në kuadër të projekteve të shumta që Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim TİKA realizon në Shqipëri, ku mund të theksojmë projektet në fushat e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, blegtorisë, infrastrukturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë historike-kulturore.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, veçoi projektin në fjalë si “…Një mundësi për fëmijët që të realizojnë ëndrrat e tyre dhe duke theksuar që investimi është mundësuar në sajë të bujarisë së popullit turkFalënderoj TİKA’n dhe shpreh ndjenjat e mirënjohjes për shtetin turk.

***

-Turqia në ndihmë të Shqipërisë për problemin e përmbytjeve

Turqia do të japë ndihmë teknike për zgjidhjen e problemit të përmbytjeve që shkaktojnë dëme çdo vit në Shqipëri.

Një delegacion tekniki nivelit të lartë nga Ministria e Pyjeve dhe e Çështjeve Ujore të Republikës së Turqisë u prit me 20 prill nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Delegacioni turk, i shoqëruar nga ambasadori turk në Shqipëri, Ahmet M. Yörük, u takua edhe me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi dhe funksionarë të kësaj Ministrie.

Pas takimit ata shkuan në zonat ku kanë ndodhur përmbytjet.

Pas përmbytjeve në dhjetor 2017 dhe në mars 2018, Turqia dhuroi ndihma ushqimore dhe materiale te tjera të nevojshme.

                                                                            ***

-Në Shqipëri arrestohen dy shtetas turq 

Policia Kufitare në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas të Shqipërisë ka arrestuar një çift nga Turqia të cilët akuzohen për falsifikim të dokumenteve.

Në një njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, arrestuan në flagrancë Ozan I., 21 vjeç dhe Elif I., 18 vjeçe, të lindur dhe banues në Turqi.

Shtetasit e mësipërm, janë të fejuar dhe janë ndaluar nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas në dalje, pasi janë kapur me dokumente udhëtimi angleze të falsifikuara. Këta shtetas do të udhëtonin në drejtim të Londrës, të cilët kishin hyrë në Shqipëri disa ditë më parë nga Turqia“, thuhet në njoftim.

Dy shtetasit turq janë arrestuar për veprat penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” e kryer në bashkëpunim.

Kujtojmë se në muajt e fundit janë arrestuar në Shqipëri disa shtetas turq të akuzuarpër falsifikimin e dokumenteve dhe sipas autoriteteve turke të lidhur më organizatën terroriste FETO.

Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Aktualitet

Archives