Presidenti Meta: Duhet bashkëpunim për të përballuar këtë sfidë, masat e marra mundësuan që të mos kemi situatë të rëndë

Presidenti Ilit Meta ka vlerësuar masat e marra nga qeveria si dhe ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve për të përballuar këtë sfidë.

Gjatë një interviste televizive, Meta u shpreh se “për fat të mirë masat që janë marrë deri tani dhe mënyra se si kanë reaguar qytetarët në tërësi, duke i respektuar këto masa kufizuese, kanë bërë të mundur të mos kemi një situatë tepër të rëndë sa i takon mundësisë së menaxhimit nga pikëpamja e shëndetit publik. Sidomos përsa i takon terapisë intensive, që ka të bëjë me personat, të cilët janë më të prekur rëndë dhe që u rrezikohet edhe jeta nga ky virus”.

Ai thekson se “duhet të vazhdojmë në këtë drejtim. Duhet të përmirësojmë efikasitetin e të gjitha masave të bashkëpunimit shtet-qytetarë dhe sipërmarrje, pasi pa këtë lloj partneriteti do ta kemi të vështirë të tregojmë atë solidaritet që na ndihmon të gjithëve për të ulur kostot”.

Presidenti shton se “sfida kryesore për të gjithë është që të rrisim sa më shumë ndërgjegjësimin e qytetarëve për ta fituar këtë betejë me përgjegjshmëri, me durim, me pozitivitet, pasi nuk mendoj se është çështja e penalizimeve dhe frikësimeve në plan të parë, kur kemi të bëjmë me një reagim të 3 milionë qytetarëve, të cilët pa asnjë diskutim që janë të interesuar për shëndetin e tyre, për jetën e tyre, për familjet e tyre, prandaj unë gjithmonë kam nënvizuar rëndësinë e frymës së bashkëpunimit”.

“Në këtë drejtim të gjitha masat kufizuese duhet të jenë proporcionale me situatën dhe gjithmonë në respekt të Kushtetutës dhe në respekt edhe me konventat ndërkombëtare, që Shqipëria është e detyruar t’i respektojë. Kushtetuta jonë është shumë e mirë, i ka parashikuar edhe raste të tilla, kur për hir të një arsyeje madhore ndërmerren disa kufizime të përkohshme që gjithmonë bëhen për të mbrojtur një interes më të madh publik, kombëtar, shtetëror” , tha ai.

Meta shtoi se “të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, që masat janë marrë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve, që vjen e para dhe që është gjëja më e rëndësishme. Ndoshta tani pasi kemi përballuar relativisht një periudhë mjaft të vështirë sa i takon pandemisë dhe ku rritet paksa edhe optimizmi për përmirësimin e kësaj situate, vëmendja bëhet edhe më e fortë drejt ekonomisë dhe pasojave që do të ketë në jetën e çdo familjeje, të çdo qytetari”.

“Padyshim që ky është një problem i madh, është një problem përsëri ku bashkëpunimi ndërmjet shtetit, ndërmjet qeverisë, ndërmjet Bankës së Shqipërisë, ndërmjet sipërmarrjeve dhe grupeve të interesit duhet të forcohet, pasi kemi të bëjmë me një interes kombëtar dhe publik për rikuperuar sa më shpejt këto humbje, këto dëme, që kanë ardhur nga ndërprerja e shumicës së aktiviteteve ekonomike gjatë kësaj periudhe. Në këtë drejtim unë besoj që edhe qeveria është e angazhuar, edhe opozita ka bërë propozimet e saj, edhe dhomat e ndryshme të biznesit kanë dhënë idetë e tyre dhe besoj që edhe këtë kosto ta ndajmë në mënyrën më të drejtë dhe më transparente midis të gjithëve”, theksoi ai. ATA

Aktualitet

Archives