Presidenti Meta dekreton ministrin e ri të Brendshëm

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e ministrit të ri të Brendshëm, pas ripropozimit nga kryeministri i vendit, Edi Rama, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas dekretit të publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë, Sandër Lleshaj, emërohet ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.

Fillimisht gjatë ditës së sotme, Meta ka dekretuar nxjerrjen në lirim të oficerit me gradë madhore, Gjeneral Brigade Sandër Lleshaj, për t’i hapur rrugë më pas dekretit për emërimin e tij në postin e ministrit të Brendshëm.

Kujtojmë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 9 nëntor i ridërgoi presidentit të vendit, Ilir Meta, propozimin për dekretimin e Sandër Lleshajt, si ministër i Brendshëm, pasi në propozimin e parë Meta kishte refuzuar dekretimin me arsyetimin se “nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës si ministër i Brendshëm”.

Pas mosdekretimit nga Meta, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë emëroi Sandër Lleshajn në postin e zv.ministrit të Brendshëm, duke u komanduar në drejtimin e kësaj ministrie.

Sandër Lleshaj, para se të emërohej zv.ministër i Brendshëm, ka mbajtur postin e këshilltarit për çështjet e sigurisë të kryeministrit të Shqipërisë.

Dekreti i presidentit Meta do të votohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe pas betimit në Presidencën e Shqipërisë, Lleshaj merr zyrtarisht detyrën, për të zëvendësuar Fatmir Xhafajn, i cili nga posti i ministrit të Brendshëm dha dorëheqje më 27 tetor.

Aktualitet

Archives