Presidenti i Republikës, Meta shfuqizon dekretin për zgjedhjet lokale

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shfuqizuar dekretin për zgjedhjet vendore, vendim i cili është publikuar në ditën e protestës së radhës antiqeveritare në Tiranë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenca e Shqipërisë ka njoftuar se Meta ka vendosur të shfuqizojë dekretin e datës 05 nëntor 2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019. 

“Kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020”, thuhet në deklaratën e Metës. 

Meta bën thirrje për rivendosjen e dialogut politik në vend dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që sipas tij i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë. 

Ndërkohë presidenti i Shqipërisë nuk ka dekretuar datë të re për organizimin e zgjedhjeve vendore. 

Kujtojmë se partitë opozitare të Shqipërisë, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt insistojnë në krijimin e qeverisë tranzitore dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. 

Opozita në muajt e fundit ka organizuar disa protesta antiqeveritare në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit, ndërsa nuk u përfshi zyrtarisht në procesin për zgjedhjet vendore. 

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, kundërshton kërkesën për qeveri tranzitore, ndërsa partia në pushtet, Partia Socialiste, prej disa javësh ka filluar përgatitjet për zgjedhjet vendore. 

Aktualitet

Archives