Presidenti Erdogan: Ushtria turke çliroi 950 kilometra katrorë territor në Siri

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi të dielën se Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK), që nga fillimi i operacionit “Dega e Ullirit”, kanë çliruar nga terroristët e YPG/PKK-DEASH, 950 kilometra katrorë të territorit sirian në rajonin kufitar të Afrinit.

“Operacioni në Afrin nuk është i natyrës pushtuese por ka për qëllim të çlirojë zonat nga terroristët e YPG/PKK dhe DAESH dhe t’ua kthejë banorëve të vërtetë të rajonit”, tha Erdogan në kongresin e zakonshëm të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) u mbajt në Bolu.

Ai tha se, që nga fillimi i operacionit në Afrin janë neutralizuar 3.300 (e diel 11.3.2018), terroristë dhe se banorët lokalë tashmë kanë filluar të kthehen në zonat e çliruara të Sirisë.

Erdogan rikujtoi se Turqia ndan me Sirinë një vijë kufitare prej 911 kilometra, siguria e së cilës rrezikohet nga organizatat terroriste dhe regjimi sirian.

Ndërkaq Presidenti turk adresoi kritika të ashpra në llogari të NATO-s, nga shkaku i pasivitetit të saj në raport me kërcënimet ndaj Turqisë në aspektin e sigurisë.

“Kur e ka ndërmend NATO të vihet në anën e Turqisë, lidhur me të gjitha zhvillimet në Siri dhe rajon?”, tha ai.

Muajin e kaluar Turqia shënoi 65 vjetorin e anëtarësimit në NATO, e cila çdo sulm mbi një anëtare të saj duhet ta trajtojë si sulm të Aleancës në tërësi. Kufiri jugor i Turqisë është njëherësh kufiri i jashtëm i NATO-s, por Aleanca nuk përkrahu Turqinë pas sulmeve të shumta raketore në territorin e saj nga Siria.

Operacioni “Dega e Ullirit” ka filluar më 20 janar të këtij viti nga TSK dhe Ushtria e Lirë Siriane me qëllim për të vendosur siguri dhe stabilitet përgjatë kufijve të Turqisë dhe rajonit si dhe për të mbrojtur sirianët nga shtypja dhe mizoria e terroristëve. (AA)

Aktualitet

Archives