Policia greke arreston 4 të dyshuar për sulmin ndaj Boutaris

Në Greqi janë arrestuar katër vetë si të dyshuar në sulmin racist kundër kryetarit të Bashkisë së Selanikut, Yiannis Boutaris. Të ndaluarit sot do të dalin para prokurorit.

Kryetari i Bashkisë së Selanikut, 75-vjeçari Yiannis Boutaris, i njohur me deklaratat e tij pozitive për themeluesin e Republikës së Turqisë, liderin e madh Mustafa Kemal Ataturk dhe për turqit në përgjithësi, është sulmuar nga një grup ekstremistësh grekë gjatë një aktiviteti që u mbajt në qytet me rastin e të ashtuquajturës “Dita Përkujtimore e Gjenocidit të Grekëve të Pontusit, 19 Maji”.

Kryebashkiaku Boutaris fillimisht u përball me sharje dhe me fishkëllima, si presion për t’u larguar nga vendi ku mbahej aktiviteti, kurse më pas ai u sulmua nga më shumë se 10 racistë.

Boutaris ishte rrahur me shkelma e grushte dhe zvarritur nga ekstremistët dhe ishte transportuar për në spital për shkak të plagëve që kishte marrë.

Pas përfundimit të trajtimit mjekësor Kryetari i Bashkisë së Selanikut doli nga spitali dhe në deklaratën që bëri për gazetarët lidhur me ngjarjen tha:

“Ishte një sulm i tmerrshëm, por unë jam mirë. Ishte një sulm i ulët dhe agresorët nuk ishin nga populli ynë. Këta janë fashistë”.

Kryeministri grek Aleksis Cipras në reagimin e tij kishte thënë se sulmi ishte punë e “banditëve” radikalë të krahut të djathtë dhe se ata do të përballeshin me pasojat e asaj që kanë bërë.

“Ky është fundi i tradhtarëve”, shkruajnë racistët në Greqi në postimet e tyre në Twitter pas ngjarjes.

Dy vite më parë Boutaris kishte propozuar që rrugës, që kalon përpara shtëpisë ku ka lindur Ataturku në Selanik, ti vendosej emri Mustafa Kemal Ataturk.

Boutaris, i cili i kushton rëndësi të madhe edhe miqësisë turko-greke dhe është i njohur për fjalët e tij si “turqit janë vëllezërit e mi”, ka qenë vazhdimisht në fokus të kritikave të fanatikëve grekë.

Aktualitet

Archives