Policia e Kosovës i ndalon Vuçiçit vizitën në fshatin Banjë

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarët e Skenderajt bllokuan me kamionë dhe drunjë rrugën Mitrovicë-Skenderaj për të parandaluar ardhjen e presidentit serb Vuçiç që të vizitojë fshatin Banjë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj njoftoi se ka tërhequr lejen e lëshuar me të cilën presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç do të vizitonte fshatin Banjë në komunën e Skenderajt, raporton Anadolu Agency (AA).

Haradinaj në profilin e tij në Facebook shkroi: “Siguria e qytetarëve është mbi të gjitha. Kam tërhequr lejen e dhënë nga Ministria e Punëve të Jashtme për vizitë të presidentit serb në zonën e Drenicës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, ka theksuar Haradinaj.

Anulimi i lejes u bë pasi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe qytetarët e Skenderajt bllokuan me kamionë dhe drunjë rrugën Mitrovicë-Skenderaj për të parandaluar ardhjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç të vizitojë fshatin Banjë në këtë komunë. Në rrugë janë djegur edhe goma.

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, dega në Skenderaj, mbrëmë u bëri thirrje qytetarëve dhe ish-luftëtarëve që të dalin në protesta pas njoftimit për ardhjen e Vuçiçit në komunën e tyre dhe të bllokojnë të gjitha rrugët që çojnë në fshatin Banjë. Siç kanë potencuar, Vuçiç vjen pa kërkuar ndjesë për vrasjet, masakrat dhe përdhunimet ndaj popullit të pafajshëm shqiptar.

Presidenti i Serbisë Vuçiç sot, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, mori pjesë në dorëzimin e donacioneve në Qendrën Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut dhe Qendrën Klinike Spitalore në Graçanicë. Pastaj vizitoi vendin e projektit të vendbanimit “Lugina e Diellit” në komunën e Zveçanit.

Ndërsa në sheshin “Shumadija” në pjesën veriore të Mitrovicës është paraparë të mbajë fjalimin kryesor. Aktualisht në Mitrovicë është qetë dhe po bëhen përgatitjet e fundit për fjalimin e Vuçiçit.

Aktualitet

Archives