Policia aksion për ndëshkimin e personave që mbajnë hapur lojërat e fatit

Policia e Shtetit vijon operacioni në të gjithë vendin për evidentimin dhe ndëshkimin e atyre personave që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 3 raste, konkretisht në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.

3 shtetas janë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy tavolina pokeri, një valixhe me çipsa, katër aparaturura, një njësi kompjuterike dhe dy paisje elektronike të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.

Në Tiranë u procedua penalisht, shtetasi F. R., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e subjektit të tij u gjetën dy tavolina pokeri dhe një valixhe me çipsa.

Në Elbasan u procedua penalisht shtetasi M. A., 26 vjeç, pasi në lokalin e tij u konstatua duke ushtruar aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale iu bllokuan katër aparatura dhe një njësi kompjuterike të cilat përdoreshin për lojëra fati.

Në Vlorë u procedua penalisht shtetasi R. S., 25 vjeç, pasi në lokalin e tij iu gjetën dy paisje kompjuterike pa dokumentacion të cilat shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.

Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor.

Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme. ata

Aktualitet

Archives