Periudhë e re në marrëdhëniet Turqi-BE

Në Departamentin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Bashkimin Evropian u mbajt të mërkurën takimi i 4-t i Grupit të Veprimit për Reformat, i pari në sistemin e qeverisë presidenciale.

Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ministri i Drejtësisë, Abdulhamit Gul, ministri i Thesarit dhe i Financave, Berat Albayrak dhe ministri i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu.

Ministri i Punëve të Jashtme, Çavusoglu, në deklaratën që bëri për gazetarët pas mbledhjes, tha:

“Në proceset në vijim mendojmë të punojmë më afër me Këshillin e Evropës. Komisionet e përbashkëta, grupet e punës dhe bashkëpunimi i afërt mes nesh dhe Këshillit të Evropës deri më sot kanë shërbyer në të mirën e të dyja palëve. Turqia është një prej anëtarëve themelues të Këshillit të Evropës. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë jo vetëm me Asamblenë Parlamentare (të Këshillit të Evropës), por me të gjitha institucionet duke përfshirë edhe Gjykatën e të Drejtave të Njeriut”, tha Çavusoglu.

Ai theksoi se në sistemin e qeverisë presidenciale do të ketë më pak burokraci dhe do të hidhen hapa më të shpejta me mekanizmin e vendimmarrjes më efektive.

“Në marrëdhëniet tona me BE-në, ne do të përqendrohemi kryesisht në çështjet që vazhdojnë dhe çështjet ku ne mund të arrijmë rezultate. Një nga këto çështje është rifillimi i negociatave të Unionit Doganor dhe liberalizimi i vizave. Edhe ne, edhe ministri ynë i Thesarit dhe Financave, po punojmë për rifillimin e negociatave për përditësimin e Unionit Doganor. Për liberalizimin e vizave ishin shtatë kritere, kurse tani kanë mbetur gjashtë. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të punojmë me institucionet e BE-së dhe me të gjithë komisionerët. Ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha ministritë tona lidhur me gjashtë kriteret e mbetura. Delegacionet tona teknike u takuan më 31 maj në Ankara. Pas kësaj, ne do të intensifikojmë negociatat tona, bashkëpunimet tona”, shtoi ministri Çavusoglu.

Më tej, shefi i diplomacisë turke tha se Ankaraja pret që Brukseli ta mbështesë më shumë atë në luftën kundër terrorizmit.

“Nga BE-ja presim bashkëpunim në lidhje me praninë e këtyre organizatave terroriste”, nënvizoi Çavusoglu.

Ministri i Drejtësisë, Abdulhamit Gul, nga ana e tij garantoi në konferencën e përbashkët të shtypit vazhdim të dialogut me BE-në në çështjet e bashkëpunimit juridik.

Kurse ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak, tha se që nga fillimi i gushtit, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka filluar një proces kundër ekonomisë turke. Deklaratat në adresë të ekonomisë turke e kanë ngritur tensionin në nivel të lartë, kurse nga Evropa kanë ardhur deklarata në përputhje më frymën e Aleancës, theksoi Albayrak.

Aktualitet

Archives