PD-Berisha, me aleatët e partive joparlamentare: Të krijojmë front të gjerë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi pasditen e djeshme në selinë e PD një takim me 16 përfaqësues të partive aleate joparlamentare ku u diskutua mbi primaret, zgjedhjet vendore, reformën territoriale dhe protestat.

Zyra e shtypit dhe komunikimit të PD njoftoi sot se, nevoja për të sjellë frymën e bashkimit, me qëllimin e organizimit të protestave kudo në Shqipëri ishte sipas tyre mekanizmi i rëndësishëm për të ngitur frymën e fitores.

Në lidhje me Reformën Territoriale gjatë takimit u tha se, opozita duhet të bëjë maksimumin e saj për ndryshime sepse reforma e kaluar ishte e dështuar.

“Shqiptarët po presin protesta. Ose do të dalin të protestojnë në bulevarde ose do ikin në malet e Francës. Shqiptarët mezi po presin protesta edhe për faktin e çmimeve, taksave, padrejtësive e vjedhjeve që u janë bërë”, ishte mesazhi i përfaqësuesve të partive aleate.

Kryetari i PD Sali Berisha garantoi rikthimin e votës nëpërmjet primareve si e vetmja rrugë e së ardhmes së një kombi. “Ky është problem themelor i lirisë”, u shpreh Berisha.

“Po bëj gjithçka dhe do të bëj gjithçka për primaret, vetëm për shkak të rikthimit të votës në shoqëri. Për ta kthyer votën mes nesh. As ne, asnjë komb, pa votë nuk ka të ardhme. Rama na e mori votën, na e plaçkiti para syve tanë, na vuri patronazhistët para syve tanë, na vrau para syve tanë, na i bëri të gjitha. Ne duhej të ishim në rrugë dhe vetëm në rrugë. Dhe kjo për mua është akti më i rëndë i yni si opozitë. Kjo sepse në një farë mënyre edhe në këtë forcë politike, vota humbi peshën e saj, filloi manipulimi i saj, humbi shenjtërinë e saj. Po, në një farë mënyre disa nga fenomenet më negative të shkatërrimtarit të votës, filluan të infektojnë edhe PD-në dhe votën brenda saj. Kjo ishte një dramë e madhe për vendin. Që nga shtatori i vitit të kaluar e deri më sot, jemi përpjekur me gjithë fuqinë të rikthejmë votën brenda nesh, sepse vota po ikën nga Shqipëria”, theksoi Berisha.

Berisha garantoi krijimin e një fronti të gjerë përballë kauzave të shtypura dhe të dhunuara dhe si zgjidhje kryetari i PD konsideron referendumet si mekanizëm shpëtimtar për vendin.

“Konsideroj shumë të rëndësishme, një bashkërendim të plotë të të gjitha përpjekjeve tona në çdo aspekt. Në përzgjedhjen e kandidatëve. Në përpjekjet për një proces zgjedhor integral. Në përpjekje për të hapur rrugën për referendume. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të hapur rrugën e referendumeve. Duhet të bëjmë një kauzë shumë të madhe bashkërisht. Keni shumë të drejtë për reformën territoriale, por kjo është një gjë në letër sepse Edi Rama nuk pranon asnjë. Edi Rama kishte bërë një pazar me Lulzim Bashën, më voto vettingun se po të shtoj 4-6 bashki. Dhe tani që Basha nuk ka asgjë në dorë, ju garantoj se nuk e lëviz numrin e bashkive. Nuk e lëviz dhe e vërteta është se janë disa ndryshime të thella që ne duhet të synojmë për t’i hapur rrugën referendumit, bashkërisht. Me referendume ne mund të sjellim ato reforma që janë shpëtimtare për Shqipërinë. Përndryshe vështirësitë janë shumë të mëdha”, tha Berisha.

Berisha shprehu bindjen se protestat janë jetike dhe si të tilla janë në rendin e ditës dhe do të përshpejtohen bashkërisht.ata

Aktualitet

Archives