Partitë opozitare protestojnë në Tiranë

Partitë opozitare të Shqipërisë kanë mbajtur në Tiranë protestën e radhës antiqeveritare, ndërsa është përfshirë nga tensionet dhe përdorimi i gazit lotsjellës nga policia, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, u organizua nga Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), me kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Mbështetësit e opozitës janë bashkuar fillimisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të vijuar në drejtim të selisë së Kryeministrisë, ndërsa në drejtim të forcave të policisë kanë hedhur tymuese dhe sende të tjera, si dhe kanë çarë në disa raste edhe kordonin policor. Protestës së opozitës gjatë ditës së sotme i janë bashkuar edhe një grup fermerësh, të cilët kanë hedhur produktet e tyre në bulevard përpara selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, e cila u sulmua me bojë dhe sende të tjera nga protestuesit.

Në fjalën e tij në protestë, lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se protesta e sotme “është bashkim zemrash, mendjesh dhe vullnetesh të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë”.

“Asgjë nuk e ndal dot më këtë bashkim. Populli është i vendosur dhe Shqipëria është e bashkuar. Ne jemi në këtë betejë jo thjeshtë dhe vetëm për kalkulime elektorale, por jemi për ju qytetarë të këtij vendi pavarësisht prej bindjeve politike”, u shpreh Basha.

Mbështetësit e opozitës protestuan edhe para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku për shkak të tensioneve policia përdori gaz lotsjellës, ndërsa disa protestues dhe punonjës të policisë janë lënduar. Për mbarëvajtjen e protestës së opozitës u angazhuan qindra forca policore, të vendosura pranë selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera.

Ndërkohë, në lidhje me protestën ka reaguar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. Presidenti Meta iu ka bërë thirrje protestuesve që të evitojnë konfrontimet. Kryeministri Rama në rrjetet sociale ka shkruar: “Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme. Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit”.

Kujtojmë se deputetët e Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim vendosën të japin dorëheqje nga mandatet e tyre parlamentare. Partitë opozitare në Shqipëri kanë organizuar muajt e fundit disa protesta, të cilat u përfshinë edhe nga tensionet, ndërsa insistojnë në krijimin e një qeverie tranzitore që do të organizojë sipas tyre zgjedhjet e parakohshme.

Aktualitet

Archives