Paketa Antishpifje/ Ministrja Gjonaj: Presim rekomandimet e Komisionit të Venecias, hap pozitiv shtyrja e votimit në Kuvend

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, deklaroi sot se “për ‘Paketën Antishpifje’ do të presim Komisionin e Venecias, opinionin e tyre dhe pastaj padyshim ne do të reflektojmë rekomandimet që ata do të sjellin. Ky është hap pozitiv duhet përshëndetur nga të gjithë aktorët përderisa paketa u shty në votim”.

Në një intervistë televizive ministrja Gjonaj tha se “paketa nuk u votua në kuvend me qëllim që të pritej edhe opinioni i Komisionit të Venecias, meqenëse ishte investuar për këtë qëllim. Ne do të presim rekomandimet e Venecias, për të cilat mbajmë rekord për zbatimin e tyre, i kemi marrë të mirëqena meqenëse është një mekanizëm i Këshillit të Europës shumë i specializuar, ka dhënë gjithmonë mendime të vyera që i kanë shërbyer jo vetëm në ligje të tilla si “Antishpifja” Shqipërisë, por edhe në reforma të mëdha, siç është ajo e reformës në Drejtësi”.

“Pavarësisht se paketa është konsultuar me një sërë aktorësh ndërkombëtarë, të cilët tashmë kanë një eksperiencë të konsoliduar në këtë fushë përsëri ne presim rekomandime të Komisionit të Venecias. Kjo është edhe arsyeja pse u shty votimi i paketës. Padyshim shpreh bindjen se do të marrim në konsideratë të gjithë rekomandimet që Komisioni i Venecias do të sjellë”, – nënvizoi Gjonaj.

Ministrja Gjonaj tha se “paketa është konsultuar edhe me OSBE-në ku ka pasur një deklaratë në fund të dhjetorit ku është shprehur nga ata që e përkrahin. Çdo ndryshim është konsultuar me ta, para se të kalojë në komision, çdo nen dhe çdo ndryshim i kësaj pakete është kryer në diskutim me OSBE-në”.

“Padyshim është konsultuar edhe me partnerë të tjerë ndërkombëtar si Këshilli i Europës janë marrë parasysh një sërë legjislacionesh të vendeve të ndryshme europiane si Gjermania, Franca, të cilat kanë qenë më drastike dhe të rrepta në mënyrën se si kanë vepruar dhe si kanë miratuar paketat “antishpifje” në vendet e tyre”. ATA

Aktualitet

Archives