Opozita e Bashkuar: Dënojmë tentativën për prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit për Reformën Zgjedhore

Opozita e Bashkuar deklaroi sot se dënon me forcë atë që e quan tentativë për prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit për Reformën Zgjedhore.

Në një deklaratë për shtyp, Opozita e Bashkuar thekson se “ky akt i paprecedent prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”.

Sipas saj, kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje.

“Ky provokim i ulët dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane.  Opozita e Bashkuar ka informuar zyrtarisht gjatë ditës së sotme Presidentin e Republikës dhe partnerët tanë strategjikë për këtë akt të paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme”, – nënvizohet në deklaratë.

Opozita e Bashkuar shprehet se “ka qenë dhe mbetet plotësisht e angazhuar në përmbushjen e thirrjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi për kodifikimin pa ndryshime të marrëveshjes së 5 Qershorit, sa më shpejt në Parlament”. ATA

Aktualitet

Archives