Operacion kundër emigrimit ilegal në Shqipëri, 39 të arrestuar

Në një operacion policor në Shqipëri të zhvilluar gjatë orëve të fundit kundër kontrabandimit të personave me qëllim emigrimin drejt SHBA-ve, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, janë arrestuar 39 persona, shtetas shqiptarë, mes tyre edhe katër punonjës të Policisë së Shqipërisë dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas të tjerë, mes tyre dy bullgarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për mediat, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, ka folur për detajet e operacionit, i cili theksoi se operacioni u realizua në koordinim me agjentët specialë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë të Departamentit të Shtetit në SHBA, që janë atashuar në Tiranë.

“Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se 7 grupe të strukturuara kriminale, të cilat operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Dominikane, Itali, Britani, Irlandë, SHBA e Kanada, kanë mundësuar kontrabandimin e rreth 1 mijë personave (shtetas shqiptarë) në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-ve dhe Kanadasë. Për çdo person paguhej nga 7 000 paund për në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga 25.000 deri në 30.000 dollarë për në SHBA dhe Kanada”, tha Veliu.

Sipas Veliut, të arrestuarit ndihmonin shtetasit shqiptarë të interesuar për të emigruar në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të ndryshme, duke falsifikuar dokumente udhëtimi dhe identiteti të vendeve të Bashkimit Evropian (BE).

Operacioni i Policisë së Shqipërisë është realizuar në bashkëpunim me EUROPOL, Interpol, Policinë e Kosovës, me autoritete kanadeze, spanjolle, franceze dhe italiane.

Aktualitet

Archives