Operacion antidrogë në të gjithë vendin, sekuestrohen tonelata hashash

Policia e Shtetit jep detaje rreth operacionit antidrogë, i ndërmarrë gjatë natës dhe që është shtrirë në të gjithë vendin. Bëhet me dije se ka nisur një operacion i gjerë në Vlorë, Tiranë, Kavajë, Përmet, Lezhë, Elbasan, Shkodër, Krujë, Kukës etj.

Operacioni drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako .

Deri më tani, sasia më e madhe e drogës është sekuestruar në Llakatund të Vlorës, ku dyshohet për dhjetëra tonelata me kanabis, si dhe 5 armë zjarri kallashnikov. Droga u gjet në dy banesa, ndërsa një person është shoqëruar në polici.

Sipas zyrës së shtypit të Policisë së Shtetit, operacioni ka vijuar edhe në Tiranë e Kavajë, ku është sekuestruar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike.

Në afërsi të “Plazhit të Gjeneralit”, është sekuestruar një sasi kanabisi, që ishte vendosur në dy automjete, gati për t’u trafikuar përmes detit në Itali.

Lëndë narkotike është sekuestruar edhe në Përmet, ndërsa në këto operacione ka persona të arrestuar e të shoqëruar, ku në përfundim do jepen detaje më të hollësishme.

Policia thotë se nuk ka një shifër konkrete të sasisë së sekuestruar të drogës, teksa operacioni vijon në disa qarqe.

Aktualitet

Archives