Odise Roshi: Krenar të jem kapiteni i Shqipërisë

Lojtari që do të mbajë nesër shiritin e kapitenit të Kombëtares në miqësoren me Norvegjinë, Odise Roshi, u shpreh krenar për këtë detyrë, por gjithsesi ai qëndron me këmbë në tokë, teksa nuk kërkon të shpërqendrohet dhe mban lart fokusin në takimin e nesërm. “Nuk jam i surprizuar, për mua është krenari të jem kapiteni. Këtu është vënë një rregull, kush ka më shumë ndeshje, do të jetë kapiteni i ekipit kombëtar. Për mua më shumë ka rëndësi ndeshja, por meqë jam kapiten, do jem modest, të eci akoma më para”, deklaroi mesfushori i Akhmat Groznit në Rusi.

Roshi është një nga ata lojtarë që pëson një transformim rrënjësor sa herë vesh fanellën kuqezi, teksa vetë lojtari rrëfen se ndonëse jep gjithçka për klubin, është tjetër gjë të luash për ngjyrat e kombit. “Është e vërtetë, impenjimi këtu është ndryshe. Luan me gjakun dhe për kombin tënd. Unë e vlerësoj në mënyrë maksimale. Jo se e nënvlerësoj klubin ku luaj, por këtu ka diçka ekstra”, theksoi mesfushori fierak. Së fundmi në Kombëtare është shtuar shumë konkurrenca. Kapiteni u uron atyre mirëseardhjen dhe vlerëson aftësitë e rivalëve për një vend titullari, duke theksuar se kjo është diçka pozitive për skuadrën. “Ne kemi shumë lojtarë me përvojë, por edhe elementë të rinj. Ka shumë konkurrencë, por për të mirën e grupit. Konkurrenca ecën përpara. Kemi bërë shumë seanca me intensitet të lartë dhe jemi fokusuar tek detyrat e trajnerit. I kam parë edhe në stërvitje Abzajn e Gavazajn, janë dy talente të mirë. Kanë kualitet të dy. Konkurrenca na bën shumë mirë, mua më bëjnë të stërvitem akoma më fort”, përfundoi Odise Roshi.

Aktualitet

Archives