Një konferencë si ajo e Londrës, fatale për Kosovën!

Kosova nga dialogu i Brukselit mund të përfundojë me copëtim të territorit. Një gjë e tillë,  po konsiderohet si një tmerr i vërtet për shqiptarët.

Për ndarjen e Kosovës kemi pas edhe deklarata nga presidenti i vendit, ide këto që përveç atyre që nuk ia duan Kosovës dhe shqiptarëve të mirën i plasojnë në tavolinë për dialog në Bruksel.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka komentuar idetë për kompromise të dhimbshme në dialogun më Serbinë, ka bërë thirrje që shmanget përsëritja e Konferencës së Londrës.

Propozimi i Kurtit

Kurti ka shkruar në mënyrën e vet rrëfimin e kësaj ngjarje që i copëtoi trojet shqiptare.

Ai ka kërkuar që të mos përsëritet një veprim i tillë, tash kur në Kosovë krerët e shtetit kanë nisur të përmendin togfjalëshin “kompromise të dhimbshme”.

“Në këtë 105 vjetor të Konferencës së Londrës, është koha që ta ndryshojmë këtë tipar problematik të politikëbërjes sonë. Një politikë e vëmendshme ndaj nevojave aktuale e historike të popullit tonë, një politikë bashkëpunuese me intelektualët e moralshëm kombëtarë, që të mos përballemi në të ardhmen me vendime si ato të Konferencës së Londrës, ku vendet tona i ndajnë e i shqepin pa na marrë parasysh”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Në anën tjetër, deputeti i Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Naser Rugova shprehet që, askush nuk ka mandat për të negociuar tema të tilla, pasi shteti i Kosovës është sovran dhe Kushtetua e pamundëson këtë.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i ndihmuar nga shtetet më të fuqishme të planetit. Është Kushtetuta dhe rendi kushtetues që pamundëson tema dhe qasje të tilla, prandaj askush nuk guxon dhe nuk ka mandat që të negocioj tema të tilla”, thotë Rugova për gazetën “Bota sot”.

Paralajmërimet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi për “kompromise të dhimbshme”, me siguri se një politik e vëmendshme do të duhej ta merrte si një paralajmërim jo të mirë e me pasoja, thotë politologu Albinot Maloku.

Maloku: Shkëmbimi i territoreve nuk ka kapacitet të ndodhë

Maloku për gazetën “Bota sot” thotë se, ka pasur rekomandime për një konferencë ndërkombëtare ku do të kishte një traktat paqeje mes Kosovës e Serbisë, sipas tij, kjo është e vërtetë dhe si e tillë është e nevojshme.

“Rrethanat dhe pozicioni gjeopolitik i shqiptarëve dallon nga ai i konferencave të përmendura si rikujtim nga ana e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Gjithsesi, Kurti ka shumë të drejtë në apelin e tij se ndaj nevojave aktuale e historike të Kosovës është e domosdoshme që të jetë më aktive një politik vendore më e vëmendshme dhe e moralshme kombëtarisht që mos të lejohen përballje mes zgjedhjeve më pak të këqija kur veç ka mundësi. Kur flasim për atë se a mund të ketë ndarje apo ndërrim territoresh, mendimi im është se opsioni nga i cili përfiton Serbia është kontrolli e defaktorizimi i shtetit të Kosovës. Shkëmbimi i territoreve në rrethanat aktuale nuk ka kapacitet të ndodh”, potencon ai.

Maloku tregon edhe opsionin më të dhimbshëm dhe më pranuar nga Beogradi, që pas kësaj Serbia më nuk do ta pengojë Kosovën në OKB.

“Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicën serbe e i cili ka për të pasur organe të veta me zingjir kontrolle në një krah të veçantë të policisë, Forcave të Sigurisë së Kosovës, me veto për vendimet e politikës së jashtme të Kosovës, me kontroll vetanak në pikat kufitare, me kontroll të Ujmanit e Trepçës e me lidhje speciale me Serbinë, është opsioni më i dhimbshëm e më real për tu pranuar nga Beogradi zyrtar. Pas kësaj Serbia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, plus pa qenë e obliguar për ta njohur shtetin e Kosovës”, thotë Albinot Maloku.

Qeveria e përkohshme e ka nisur ters bërjen e shtetit të Kosovës

Analisti politik, Skënder Zogaj pohon se, Albin Kurti e të gjithë shqiptarët duhet ta kuptojnë se shqiptarëve, gjithmonë, që nga lashtësia, konkretisht Skënderbeut rreziku kryesor me thika pas shpine i ka ardhur nga Hamza Kastrioti e Moisiu!

Sipas tij, kjo Kosovës i ka ndodhur në Rambuje, ku hamzatë dhe moisitë shfaqen kundër Kryezotit të Kosovës, presidentit Ibrahim Rugova.

“Kjo ndodh për t’ia marrë pushtetin, siç edhe ndodh me Qeverinë e përkohshme që e nis ters bërjen e shtetit të Kosovës! Që në ditët e para të lirisë krijohet problemi i veriut të Kosovës, problemi i ushtrisë, problemi i krimit dhe korrupsionit të organizuar, kapja e institucioneve shtetërore, tjetërsimi dhe përvetësim me forcë i pronës shoqërore etj”, shprehet Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, të gjitha këto kanë tagër që duhet paguar! E pagesa sipas tij ka filluar me lojën e Edita Tahirit, kryenegociatorja e parë e bisedimeve në Bruksel në dialogun Kosovë – Serbi.

“Pagesa është e domosdoshme sepse, loja ka filluar me Edita Tahirin e cila nisi bisedimet me gënjeshtrën morbide të “bisedave teknike” me Serbinë! Tash shohim se bisedat ishin dhe janë politike dhe se do të kenë “kompromise të dhimbshme”!”, thotë ai.

Sipas tij, Albin Kurti ka të drejt të reagojë pasi edhe e ka paralajmëruar rrezikun.

“Albin Kurti rrezikun e ka theksuar që në fillim dhe tash ka arsye të reagojë! Por, të ndikojë në përmirësimin e zhvillimeve nuk e ka asnjë pikë mundësie, sepse byreku tashmë është në tavolinë dhe ka mbetur vetëm të hahet!”, përfundon Skënder Zogaj.

Në dorën e opozitës

Ndërsa, opinionisti dhe analisti politik Faik Krasniqi thotë se, me Hashim Thaçin si udhëheqës i dialogut, kur kemi arritur në finale të bisedimeve me Serbinë, duhet të mos i jepet mundësi për kompromise të dhimbshme në dëm të interesave të shtetit të Kosovës.

“Ai veçse ka paralajmëruar për kompromise të dhimbshme, pa e sqaruar se për çfarë bëhet fjalë. Në të kundërtën ka rrezik që Serbia do të përfitojë autonomi për serbët e Veriut, ose në rastin më të keq ta humbasim fare, në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe një ulëse në OKB, sepse Rusia pastaj nuk do të bëhej pengesë në OKB”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Prandaj sipas tij, është e rëndësishme që çdo gjë të shkojë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mos t’i lihet në dorë çdo gjë Thaçit, në mënyrë që të shmanget përsëritja e Konferencës së Londrës.

“Në rast se opozita nuk arrin ta parandalojë Hashim Thaçin si kryenegociator, atëherë opozita duhet të organizojë protesta gjithëpopullore për të parandaluar copëtimin e mëtutjeshëm të Kosovës”, shprehet Faik Krasniqi.

Aktualitet

Archives