Nis viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar, 386 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë

Në Shqipëri sot nisi viti i ri arsimor për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Në të gjitha institucionet arsimore publike dhe private, zilja sot ftoi nxënës dhe mësues për një vit të ri përpjekjesh dhe angazhimesh në rrugën e diturisë.

Si çdo vit më e veçantë është kjo ditë për vogëlushët e klasave të para, që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Emocionet, gëzimi po edhe vështirësitë për ta janë më të mëdha.

Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, këtë vit shkollor janë 24 mijë nxënës në të gjithë vendin, që nisin klasën e parë. Ndërkohë në të gjithë shkollat e sistemit parauniversitar në vend janë regjistruar mbi 380 mijë nxënës.

Këtë vit shkollor librat për klasën e parë deri në të pestën janë shpërndarë falas në të gjitha shkollat e vendit. Ndërkaq qeveria ka premtuar se brenda dy vitesh, tekstet shkollore do të mund t’i përfitojnë falas të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare. abcnews.al

Aktualitet

Archives