Nis muaji i Ramazanit/ Politika shqiptare uron

Besimtarët myslimanë kanë nisur sot agjërimin në Muajin e Ramazanit, për të dytin vit radhazi me masa kufizuese që janë vendosur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Vlera e muajit të Ramazanit është e madhe për besimtarët myslimanë, sepse pikërisht në këtë muaj ka filluar zbritja e Kur’anit. Sipas fesë islame, çdo besimtar mysliman, është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit, si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët.

Besimtarët nuk hanë ushqim dhe nuk pinë ujë deri në perëndimin e diellit, duke iu përkushtuar vetes edhe më shumë se zakonisht adhurimit të Zotit dhe frenimit të egos.

Agjërimi nis me lindjen e diellit dhe përfundon me perëndimin e tij.

Zyrtarë të lartë dhe politikanë kanë uruar besimtarët mysliman me rastin e nisjes së këtij muaji të shenjtë.

Presidenti Ilir Meta iu bashkua urimit për agjërim të lehtë e të pranuar dhe lutjeve të çdo besimtari, që Zoti t’i falë mëshirën e Tij, t’ia shpërblejë sakrificën e shumëfishtë dhe të lehtësojë dhembjen e çdokujt, veçanërisht në këtë periudhë sprovash të mëdha, me të cilat përballen të gjithë shqiptarët.

“Me lutjet dhe përkushtimet tona, me shpirt dhe zemër, duke u shërbyer me përulësi, të jemi më pranë të sëmurëve, të pamundurve, të moshuarve dhe çdo shqiptari në nevojë për të rizgjuar shpresën për ditët më të mira, që po afrojnë dhe që patjetër do të vijnë për Shqipërinë! Nga mot Gëzuar muajin e madhërishëm të Ramazanit”, tha Meta.

Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi uroi sot besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit.

“Sot besimtarët myslimanë nisin kremtimin e muajit të bukur e të bekuar të Ramazanit. U uroj të gjithëve agjërim të lehtë dhe lumturi në familje. Edhe pse me vështirësitë dhe kufizimet që na ka imponuar pandemia, ky muaj na shtoftë besimin, dashurinë dhe shpresën se festimet për gëzimet e jetës do të kthehen shumë shpejt”, tha Ruçi.

Kryeministri Edi Rama uroi po ashtu “agjërim të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë në muajin e bekuar të Ramazanit”.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u uroi “agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë brenda e jashtë vendit”. “Urimet më të sinqerta për muajin e sakrificës dhe të triumfit në emër të idealeve të larta njerëzore. Zoti ua pranoftë”, tha ajo.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi “agjërim të lehtë dhe të pranuar”.

“Le të shërbejë ky muaj për të na udhëhequr në rrugën e drejtë dhe përmes sakrificës e lutjeve tona drejtuar Zotit, të ndërtojmë një jetë më të mirë për popullin tonë, me më shumë mundësi dhe gëzim për çdo familje shqiptare. Agjërim të lehtë e të pranuar, dritë, shpresë dhe begati sjelltë ky muaj për ju, familjet tuaja dhe gjithë shqiptarët kudo që janë”, tha Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e shoqëroi urimin e tij me pamjet e veçanta të xhamisë së Et’hem Beut e cila pas restaurimit ka rifituar shkëlqimin e saj. “Me këto pamje të veçanta të Xhamisë së restauruar të Et’hem Beut, ju uroj gëzuar muajin e shenjtë të Ramazanit dhe agjërim të lehtë të gjithë besimtarëve myslimanë”, tha Veliaj. ata

Aktualitet

Archives