Nga sot, asnjë parti nuk mund të kontestojë rezultatin e zgjedhjeve

Ka përfunduar sot afati për ankimimin e partive politike mbi parregullsitë e pretenduara në zgjedhjet e 25 qershorit. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri tha sot në një dalje për mediat se kërkesa të ngjashme janë marrë nga PDIU dhe PS për qarkun e Tiranës, dhe PD për Beratin.

Zguri tha se kërkesat do të shqyrtohen brenda datës 20 korrik.

“Subjektet zgjedhore deri dje kanë pasur të drejtën e ankimit në KQZ kundër vendimeve për secilin qark. Subjektet kishin të drejtën të kërkonin ndryshimin e tabelave përmbledhëse të rezultatit sipas qarqeve, ose dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo më shumë qendra votimi. Këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar PDIU, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për qarkun Tiranë, PD që ka kontestuar tabelën përmbledhëse për qarkun Berat si dhe PS e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse për qakrun Tiranë”, tha Zguri.

PDIU pretendon se në Tiranë ka fituar një mandat deputeti. Ditët e fundit, kjo forcë politike ka publikuar disa materiale filmike ku pretendon se janë vjedhur vota, të cilat kanë tjetërsuar rezultatin.

Aktualitet

Archives