Negociatat Shqipëri-Greqi për detin, Presidenti Meta autorizon ministrin Bushati

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka autorizuar të hënën ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negociimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.

Me anë të një njoftimi për media, Presidenti Ilir Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, bazuar në Vendimin nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese.

Njoftimi i plotë i Presidencës

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mbështetje të nenit 92 gërma “ë”, nenit 116, nenit 121 pika 1, nenit 132 të Kushtetutës; Vendimit nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë; Nenit 6 pika 3, shkronja “a” të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, në vijim të kërkesës të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme autorizoi sot ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare.”

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe Grupit Negociator që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të Vendimit nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit.” /ATSH

Aktualitet

Archives