Në Shkodër u përkujtua Mehmet Akif Ersoy

Poeti i himnit  kombëtar të Turqisë, Mehmet Akif Ersoy, u përkujtua në institutin “Yunus Emre” Shkodër me një program të organizuar nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë.
Në program morën pjesë ambasadori i Turqisë, Murat Ahmet Yoruk, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” prof. dr. Adem Bekteshi, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, akademikë, mësues, studentë dhe shumë të ftuar.

Fjala e hapjes së programit u mbajt nga drejtori i institutit, Zafer Kıyıcı, i cili u shpreh: “Mehmet Akif Ersoy është poeti që sagën tonë heroike, identitetin tonë madhështor, dashurinë tonë për atdheun dhe lirinë; Himnin Kombëtar si dhe vuajtjet, shpresat e vendosmërinë që buronte nga gjoksi i kombit tonë, e përjetësoi duke thënë: “Unë nuk kam punë me imagjinatën, çfarëdo të kem thënë e kam jetuar”. Origjinën e tij shqiptare e ka shprehur në vargjet e poezisë “Zërat e së Vërtetës”: “Dёgjoje kёtё nga unё: po, unё jam shqiptar … Tjetёr s’kam ç’tё them…”.

Kıyıcı e përfundoi fjalën e tij me një shprehje të Mehmet Akif Ersoy duke thënë“Dashtë Zoti që ky popull të mos ketë më nevojë t’i shkruhet edhe një herë himni kombëtar”.

Kurse ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük në fjalën e tij përshëndetëse, tha se të kujtosh Mehmet Akif Ersoy do të thotë të njohësh dhe kuptosh Turqinë dhe shoqërinë turke.

Ambasadori Yörük u shpreh se “Jemi mbledhur për të kujtuar personalitetin e madh dhe të shquar turk, poetin tonë kombëtar Mehmet Akif Ersoy. Bashkë me ju në Shqipëri në trojet nga erdhën paraardhësit e tij, përkujtojmë me mirënjohje dhe respekt Mehmet Akifin, të gjithë jetën e tij dhe kujtimin e tij të shtrenjtë“.

Mehmet Akif Ersoy nuk është një intelektual, letrar, politikan dhe akademik që u përket vetëm turqve dhe Turqisë. Për shkak të origjinës së tij shqiptare, fakti që ka jetuar dhe shërbyer në Ballkan ai është një personalitet që i përket rajonit tonë gjeografik shpirtëror. Ai është një burrë i shquar i mendimit dhe i veprimit, ku në personin e tij janë bashkuar vëllazëria, lidhjet turko-shqiptare dhe kultura jonë e përbashkët. Vetëm po të njohësh atë kuptohet fryma e vërtetë e Himnit tonë Kombëtar dhe Poemës për Çanakalanë, të cilat janë vepra të përjetshme që ai na ka dhuruar, kuptohet se nga e merrnin frymëzimin e fuqishëm ato vargje të tij që na përlotnin sytë dhe na mbushnin zemrën”, tha ambasadori turk.

Ndërsa, akademiku prof. dr. Bajram Xhafa mbajti një kumtesë me temë: “Mehmet Akif Ersoy në 145-vjetorin e lindjes së tij”. Në fjalën e tij ai citoi: “Mehmet Akifin e “njoha” ndopak vetëm pas “hapjes” së Shqipërisë politike në vitet ’90. Kur mësova që ishte shkrimtar i himnit kombëtar turk u ndjeva shumë krenar.

Xhafa e përfundoi fjalën e tij duke shprehur falënderime për institutin “Yunus Emre”, i cili i krijoi mundësinë të fliste mbi personalitetin e Mehmet Akif Ersoy.

Pas fjalimeve programi vijoi me hapjen e ekspozitës “Mehmet Akif Ersoy”. Ekspozita e pëlqyer shumë nga të pranishmit, do të jetë e hapur për vizitorët, në institutin turk “Yunus Emre” Shkodër deri më datë 31 dhjetor 2018.

Mehmet Akif Ersoy, i cili njihet si “Poeti i Atdheut” dhe “Poeti Kombëtar”,lindi më 20 dhjetor të vitit 1873 dhe ndërroi jetë më 27 dhjetor të vitit 1936 në Stamboll.

Aktualitet

Archives