Në Kosovë hapet Java Globale e Sipërmarrësisë

Në organizim të Qendrës Inovative të Kosovës (Innovation Centre Kosovo) dhe Odës Amerikane të Tregtisë është hapur Java Globale e Sipërmarrësisë, me çka Kosova iu bashkua shumë vendeve të botës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e hapjes u organizua në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës në prani të kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Veseli tha se perspektivat e vendit dhe zhvillimi ekonomik varen nga idetë, sipërmarrjet inovative, si dhe me iniciativën e sektorit privat. Ai vuri në dukje se kosovarët me vite kanë mbijetuar nga biznesi privat dhe theksoi se shumë më tepër kosovarë janë të punësuar në sektorin privat në vendet perëndimore sesa në sektorin publik dhe privat në Kosovë.

“Kjo forcë sipërmarrëse e njerëzve tanë në diasporë, duhet gradualisht, por fuqishëm të transferohet në vendin e tyre, Republikën e Kosovës. Kjo është ajo që së bashku do ta bëjmë edhe me Qeverinë e Kosovës edhe me ministrat që e kanë detyrë”, tha Veseli.

Ai kujtoi se një nga idetë e përbashkëta të këtij koalicioni qeverisës ishte të formonte Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova ka ligje të avancuara për kryerjen e biznesit dhe nga ky aspekt konkurron me udhëheqësit e vendeve të sipërmarrjes. Megjithatë, Haradinaj tha se Kosova më së shumti është e penguar në çështjen e energjisë, meqë biznesi po humb 300 milionë euro në vit për shkak të energjisë.

“Energjia na mban peng për më shumë se një dekadë dhe jemi vonë për të investuar në energji. Banka Botërore u vonua dhe në fund u tërhoq nga investimi në energji. Për fat të mirë, projekti energjetik (Termocentrali i Ri) për furnizim të qëndrueshëm me energji është ende në opsion. Unë mendoj se do të kemi investimin më të madh të energjisë në Kosovë, prej 1.3 miliardë dollarë, nga investitori amerikan Kontroll Global”, tha Haradinaj.

Haradinaj si edhe një problem theksoi barrierat burokratike, korrupsionin dhe mungesën e konkurrencës së përshtatshme.

Drejtori ekzekutiv i Innovation Centre Kosovo (ICK), Uranik Begu, theksoi se gjatë Javës Globale të Sipërmarrësisë në Kosovë do të mbahen më shumë se 60 aktivitete me mbi 45 partnerë.

“Ekonomia dhe prosperiteti ynë varen nga shumë faktorë, por në krye të listës është mundësia e sipërmarrjes dhe risive për të zhvilluar idetë e tyre në ndërmarrje të qëndrueshme”, tha Begu.

Aktualitet

Archives