Ndryshimet në ligjin “Për Ushqimin”/ Ministri Çuçi: Garantojmë shëndetin e konsumatorëve nëpërmjet produkteve të sigurta ushqimore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi tha se, “ndryshimet e propozuara në ligjin “Për Ushqimin” që do të miratojmë sot janë në vazhdën e përpjekjeve të kësaj qeverie për të garantuar mirëqenien dhe shëndetin e konsumatorëve nëpërmjet produkteve të sigurta ushqimore”.

Në fjalën e mbajtur sot në seancën plenare të Kuvendit, ministri theksoi se, “siguria ushqimore është prioritet absolut i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si një çështje delikate dhe me sensibilitet të lartë publik”.

Por jo vetëm kaq, vijoi ai, çfarë është më e rëndësishme, siguria ushqimore është një nga komponentët e sigurisë kombëtare, e lidhur ngushtësisht dhe me impakt të drejtpërdrejtë në shëndetin dhe jetën e popullsisë. Thënë këto, çdo ndryshim ligjor apo administrativ që bëhet, për të rritur në një tjetër nivel sigurinë ushqimore, duhet vlerësuar dhe mbështetur.

Çuçi solli në vëmendje se, në muajin korrik të vitit të shkuar u votuan ndryshimet në Kodin Penal, duke forcuar kështu mekanizmat mbrojtës ndaj konsumatorëve, si hallka më e pambrojtur e zinxhirit ushqimor. Plotësuam në këtë mënyrë një pjesë të vakuumit ligjor që ekzistonte, por siguria ushqimore përballet çdo ditë me sfida dhe problematika të reja që duhen adresuar.

Pikërisht për këtë arsye, nënvizoi ministri gjatë fjalës së tij, pas konsultimeve dhe shqyrtimit nëpër komisione, kemi sjell sot në Kuvend propozimin për ndryshime në ligjin “Për Ushqimin”, me qëllim që të krijojmë një hapësirë të re ndërveprimi mes trekëndëshit: konsumator-AKU-biznes.

Ministri u ndal në risitë e këtij projektligji.

“Ky projektligj që ne propozojmë, synon në radhë të parë përmirësimin e eficiencës dhe efikasitetit të punës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit përmes ristrukturimit të këtij institucioni. AKU sot përballet me problematika tepër dinamike, të cilat ne duhet t’i adresojmë nga pikëpamja ligjore dhe administrative”, – tha ai.

Sipas tij, riformatimi që do t’i bëhet këtij institucioni është rruga e duhur për të rritur kontrollin e produkteve që dalin në tregje, për të rifreskuar burimet njerëzore aq shumë të domosdoshme në këtë institucion, por edhe për të eliminuar mbivendosjen e funksioneve ose kontrolleve me institucione të tjera.

“Projektligj përmirëson rregullat dhe procedurat administrative në mekanizmin e shqyrtimit të masave administrative ndaj operatorëve të biznesit ushqimor, duke krijuar një komision të posaçëm apelimi në Ministrinë e Bujqësisë dhe përmes këtyre ndryshimeve që do të miratojmë sot, përcaktohen më mirë parimet dhe rregullat për tarifat e kontrolleve zyrtare në tërësi brenda vendit, por edhe në importe”, – tha Çuçi.

Është e rëndësishme të theksojmë se në tërësinë e vet ky projektligj shkon përshtat me prioritetin që ne si qeveri i kemi dhënë sigurisë ushqimore, rritjes dhe forcimit të kontrolleve në tregje ndaj operatorëve të biznesit ushqimor, si trajtimit ndryshe të fenomeneve që hasen sot kur vjen fjala tek siguria ushqimore.

“Jemi të vetëdijshëm se kjo është një punë dhe përpjekje e vazhdueshme që natyrisht e udhëheqim ne, AKU-ja si institucion kryesor, por s’ka dyshim që siguria ushqimore është një çështje e përbashkët e të gjithëve. AKU-ja nga njëra anë, konsumatorët dhe operatorët e biznesit nga ana tjetër”, – tha ministri.

Ministri vuri në dukje rëndësinë e ristrukturimit të AKU-së. “Gati 11 vjet pas themelimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nuk mund të vazhdojë më të identifikohet si një institucion i masave represive, që vetëm vendos gjoba e aplikon ndëshkime ndaj operatorëve të biznesit ushqimor. AKU-ja e re duhet të ketë një rol tjetër karshi biznesit dhe konsumatorëve. Sfida jonë është ta shndërrojmë në një strukturë inteligjente, me burime njerëzore të kualifikuara. Do të ndërmarrim një fushatë rekrutimi dhe trajnimi të punonjësve të rinj së bashku me Autoritetin e Kontrollit të Ushqimit në Irlandë, i cili është ‘binjakëzuar’ me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit tek ne, kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian për sigurinë ushqimore”, – tha ministri.

Ndërsa shtoi se, aktualisht është 81 numri i vakancave në AKU. Gjatë këtij viti do të bëhen pjesë e këtij institucioni të rinj e të reja të kualifikuar në kontrollin e ushqimit, por edhe profesionistë të tjerë të fushës.

“Ristrukturimi synon edhe forcimin e rolit të Drejtorisë së Vlerësimit të Riskut bazuar në vlerësime shkencore dhe të dhëna historike, për praktika të ndjekura nga operatorët e biznesit ushqimor. Do të kemi një strukturë të re brenda AKU-së që analizon të dhënat e inspektimeve ndër vite, në mënyrë që plani i monitorimit kombëtar të mos jetë një plan, le të themi mekanik, por të jetë i bazuar në analizë dhe statistika disa vjeçare. Në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të ndërmarrim kontrollet e duhura ndaj operatorëve të biznesit ushqimor, pa abuzuar dhe pa u bërë pengesë për zhvillimin e biznesit”, – tha ai.

Ministri shpjegoi se ngrihet në ministri Komisioni për Shqyrtimin e Ankimeve për gjoba me vlerë mbi 300 mijë lekë. Ky komision do të ketë në përbërje 5 anëtarë, nga të cilët 3 anëtarë janë përfaqësues të Ministrisë, ndërsa 2 anëtarë të tjerë janë përfaqësues të AKU-së. Vendimi i këtij komisioni përbën titull ekzekutiv, dhe pas lëshimit nga gjykata kompetente të urdhrit të ekzekutimit, mund të vihet në ekzekutim sipas legjislacionit në fuqi.

Për gjobat me vlerë deri në 300 mijë lekë, shqyrtimi do të bëhet nga AKU. Ky ndryshim bëhet me qëllim që AKU-ja të shqyrtojë ankesat brenda afateve të arsyeshme dhe që subjektet të kenë mundësi të ankohen në gjykatë brenda një kohe sa më të shkurtër, informoi Çuçi.

Ministri theksoi se, me ndryshimet ligjore shmangim kontrollet e dyfishta për operatorët e biznesit ushqimor edhe nga inspektorët e AKU-së edhe nga inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Rreth 15 mijë OBU lehtësohen nga ky kontroll i dyfishtë, që shpesh linte vend edhe për abuzim. Ulja e barrës së inspektimit nga dy institucione për të njëjtin subjekt apo çështje, shmang mundësinë për abuzim.

“Për herë të parë do të aplikohet një lehtësim në sistemin e vetëkontrollit, ku subjektet me risk të vogël do të përjashtohen nga kontrollet me të njëjtat kritere si bizneset e mëdha. Kjo i jep frymëmarrje prodhuesve të vegjël. Natyrisht duke mos cenuar këtu parimet bazë të kushteve higjieno-sanitare dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Për sa i përket marrjes së mostrave për kontrollet zyrtare, do të aplikohen tarifa të reja në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe sidomos të vendeve të Bashkimit Europian. Kjo është një fazë tjetër që lidhet me përgatitjen e akteve nënligjore”, – tha Çuçi.

Ka rëndësi theksoi ai, se në përfundim të këtij procesi do të kemi një sistem bashkëkohor tarifimi për marrjen e mostrave dhe analizave laboratorike, në mënyrë që t’i vijmë në ndihmë biznesit dhe konsumatorit.

“AKU-biznes-konsumator është një trekëndësh shumë i rëndësishëm, dhe ndërveprimi sa më i mirë mes tyre na garanton produkte të sigurta në tregjet tona. AKU-ja e re do të jetë një institucion më dinamik, më inteligjent, më transparent dhe do të adresojë siç duhet sfidat e kohës, duke patur më së shumti në fokus fenomenet që shqetësojnë sot konsumatorët dhe operatorët e biznesit ushqimor”, – tha ministri Çuçi.

Ai i ftoi, deputetët t’i votojnë ndryshimet në këtë ligj dhe të bëhen bashkë në çdo rast kur është fjala për sigurinë ushqimore. ATA

Aktualitet

Archives