Myslimanët në mbarë botën sot festojnë Kurban Bajramin

Sot është dita kur përjetohet uniteti dhe kur merr fund malli, është dita e parë e Bajramit të Kurbanit, simboli i besnikërisë ndaj Allahut.

Në të gjitha kulturat dhe besimet ekziston një ritual i sakrifikimit, apo i kurbanit. Kështu, ritin e parë të sakrifikimit e bënë bijtë e  Profetit Adem, Habili dhe Kabili. Kjo vazhdoi me nismën e Profetit Ibrahim, i cili për të mbajtur fjalën, që i kishte dhënë Allahut, do të bënte kurban djalin e tij, Profetin Ismail. Por në momentin kur do të sakrifikonte të birin, engjëlli zbret afër tij me një dash dhe i thotë që në vend të djalit të bënte kurban dashin, duke filluar kështu traditën e sotme.

Më pas kurbani kthehet në obligim, si pjesë e pelegrinazhit të shenjtë (haxhi). Me profetin e fundit, Hz. Muhamed (s.a.v.), therja e kurbanit merr përmasa më të gjera dhe krahas kurbanit gjatë pelegrinazhit, sakrifikimi kthehet në një obligim universal.

Sipas kalendarit hënor (hixhri), Bajrami i Kurbanit fillon në ditën e dhjetë të muajit Dhulhixhe dhe vazhdon katër ditë me radhë. Dita e parë dhe e dytë e bajramit cilësohen si ditët kur besimtarët, që kanë mundësi, therin kurban.

Bajramet janë ditë shumë të veçanta në vendet myslimane. Pavarësisht se duket sikur kemi filluar të harrojmë traditat tona me zhvillimin e teknologjisë, gjatë bajrameve nuk harrohen traditat bashkuese. Edhe pse shpeshherë dëgjohen shprehje të tilla si “eh ku janë ato bajramet e vjetra”, prapë se prapë bajramet priten me mall nga të gjithë myslimanët. Shpirti i bashkimit dhe i solidaritetit pasqyrohet edhe më shumë gjatë këtyre ditëve.

Bërja e kurbanit është një obligim jo për të gjithë, por për ata, që kanë mundësi ekonomike. Në shumë vende myslimane, shumë njerëz, pavarësisht se janë të varfër, mundohen që të therin kurban. Ky veprim pranohet si një detyrë e shenjtë. Kjo detyrë është një thirrje për mobilizim e solidaritet. Njerëzit, që kanë mundësi, me anë të këtij bajrami ndihmojnë ata, që nuk janë në gjendje të blejnë mish, duke plotësuar nevojat e tyre. Ai që bën kurban, 1/3 e mishit e çon në shtëpi, 1/3 e ndan me mysafirët që vijnë në shtëpi dhe 1/3 tjetër ua ndan të varfërve ose fqinjëve në nevojë. Një prej shembujve më të mirë të solidaritetit social përjetohet në botën islame.

Ai emocioni i bukur i Bajramit të Kurbanit fillon javë më parë. Në qytete ngrihen tregjet e kafshëve, që shiten për kurban. Disa e rrisin vetë kafshën, që do sakrifikojnë, por shumë të tjerë bëjnë një pazar të fortë kur e blejnë kurbanin.

Edhe pjesëtarët e tjerë të familjes bëjnë përgatitje; amvisat përgatisin shtëpinë, ndërsa fëmijët veshin rrobat e tyre të blera enkas për këtë bajram. Ata ngrihen herët në mëngjes; burrat shkojnë të falin namazin e bajramit. Nënat nuk dinë të çlodhen këto ditë, por me një shqetësim të këndshëm përgatisin ëmbëlsira dhe gatime të shijshme.

Pas namazit të bajramit, që falet herët në mëngjes, fillon edhe ceremonia festive, që nis me puthjen e dorës së peronave më të mëdhenj të familjes. Më pas nis edhe therja e kurbanit. Në Turqi, ata që kanë bahçe e therin kurbanin me mundësitë e veta, ndërsa të tjerët në tregjet ku e kanë blerë kurbanin, apo në vende të tjera të përcaktuara nga bashkia.

Pavarësisht se, sipas traditave, njerëzit e festojnë në mënyra të ndryshme, ajo që ndjehet thellë në shpirt është e njëjtë. Në fytyrat e të gjithëve vihet re buzëqeshja dhe shkëlqimi i syve. Nëse familjarët jetojnë në vende të largëta, ata merren në telefon dhe urojnë Bajramin. Ndërsa për prindërit dhe farefisin, që jeton më afër, fillojnë vizitat në shtëpi.

Por, sigurisht, bajrami i Kurbanit nuk festohet me entuziazëm në tërë botën islame. I lutemi Allahut që të marrin fund vuajtjet në hapësirën e gjerë gjeografike, duke filluar nga Krahina Autonome Ujgure e Sinkiangut, Palestina, Siria, Iraku, Indonezia dhe Afrika, ku myslimanët përballen me mizori dhe nuk mund të jetojnë të lirë obligimet e tyre fetare. Ne apelojmë edhe një tjetër herë se ata nuk janë vetëm dhe ne jemi pranë tyre.

Aktualitet

Archives