Moti i rëndë në Ballkan vazhdon të shkaktojë probleme

Në Shqipëri raportohet të kenë humbur jetën dy persona nga moti i ftohtë, njëri nga qyteti i Durrësit dhe tjetri nga Saranda.

Reshjet e dëborës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme të shumta si në qarkullimin rrugor, defekte të shumta në rrjetin elektrik dhe kanë vështirësuar jetesën e banorëve në zonat më të prekura nga moti i ftohtë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Shqipëri gjatë ditës së sotme një person ka humbur jetën, për shkak të temperaturave të ulëta dhe nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet L.A, 54 vjeç nga qyteti i Sarandës. Ky person ishte i pastrehë dhe sipas policia ka humbur jetën nga i ftohti dhe kequshqyerja.

Ndërkohë mbrëmë dyshohet se një person ka humbur jetën nga moti i ftohtë në Durrës. Sipas të dhënave të policisë, shtetasi me inicialet A.S, 38 vjeç, që është gjetur i vdekur në një nga lagjet e Durrësit rezultonte si person i pastrehë.

Ministria e Brendshme e Shqipërisë në një njoftim zyrtar të publikuar sot ka bërë të ditur se ende ka disa akse rrugore nëpër fshatra të njësive administrative, të cilat nuk ka qenë e mundur të hapen plotësisht për qarkullimin.

Sipas MPB-së akset nacionale janë plotësisht të qarkullueshme, dhe vetëm në ndonjë segment ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve.

Bashkia e Tiranës ka ofruar strehim dhe të gjitha kushtet e nevojshme për rreth 150 persona në 4 qendrat sociale.

Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, nga datat 8-11 janar temperaturat maksimale në vendet malore do të luhaten nga -5 deri -10 gradë, ndërsa në zonën e ulët dhe në bregdet nga 0 deri 5 gradë. Temperaturat minimale do të luhaten në vendet malore nga -21 deri -18, ndërsa në zonën e ulët dhe bregdet nga -10 deri në -6 gradë.

Në Kosovë vazhdon moti i acartë

Në Kosovë tashmë disa ditë mban mot tejet i ftohtë, ku temperatura momentale në Prishtinë arrin në -14 gradë celsius.

Gjatë mbrëmjes së kaluar është regjistruar temperatura më e ulët këtë dimër me -24 gradë celsius. Në Kosovë gjatë ditëve të fundit ka pasur reshje të mëdha të borës, ku në disa pjesë të vendin ajo arrin deri në gjysmë metër.

Sipas njoftimit të sotëm të Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës, të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale janë të kalueshme dhe komunikacioni është lehtësuar, ndërsa ekipet për pastrimin e rrugëve në mënyrë konstante janë në terren.

Siç bëhet e ditur, ende punohet për zhbllokimin e rrugës rajonale Brezovicë-Prevalac, si dhe rrugës Brezovicë-Qendra e skijimit, që është bllokuar për shkak të qarkullimit të shumtë të automjeteve private të qytetarëve.

Megjithatë, siç transmetojnë mediat lokale, 36 fshatra të komunës së Dragashit në të cilën jetojnë shqiptarë, boshnjakë dhe goranë janë tërësisht të shkëputur ku dëbora në disa vende ka arritur deri në 1.5 metra.

Moti i keq ka sjellë defekte të shumta në rrjetin elektrik, ndaj edhe shumë fshatra prej dy ditësh janë pa rrymë. Bora ka dëmtuar edhe rrjetin e telefonit.

Maqedonia me -28, temperaturat nën zero do të vazhdojnë

Sipas njoftimit të Entit Hidrometeorologjik të Maqedonisë, më ftohtë ka qenë në Berovë me temperatura të cilat kanë zbritur në minus 28 gradë celsius.

Në Manastir janë shënuar -25, në Mavrovë -24, Tetovë -22, në Shkup janë matur -21, në Kumanovë -19, në Dibër -15 dhe Gjevgjeli -10.

Enti njofton se nuk janë regjistruar reshje të reja të borës, ndërsa trashësia e saj lëvizë nga 8 centimetra në Pretor, 9 në Strumicë dhe Shkup, 20 në Kumanovë, në Dibër dhe Tetovë trashësia e borës është 30 centimetra, ndërsa në Mavrovë është 78 centimetra.

Temperatura më e ulët do të zbres në -25 gradë celsius, ndërsa më e larta e ditës në -7 gradë. Në zonën e Shkupit moti do të jetë kryesisht me vranësira dhe shumë i ftohtë. Temperaturat do të lëvizin mes -19 dhe -8 gradë celsius.

Në ditët e ardhshme moti do të jetë me vranësira dhe i ftohtë, ndërsa nga e mërkura pritet rritje e butë e temperaturave, ndërsa nga e premtja vendi do ti nënshtrohet një rryme jugore të ajrit me një rritje të konsiderueshme të temperaturave.

Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM) rekomandon drejtimin e kujdesshëm të automjeteve dhe respektim e sinjalistikës dhe rregullave të qarkullimit rrugor.

Aktualitet

Archives