Monedha shqiptare e qëndrueshme kundrejt monedhave të tjera

“Ne si Banka e Shqipërisë, krenohemi me qëndrueshmërinë e monedhës tonë kundrejt monedhave të tjera, nëse i referohemi luhatjeve të kursit të këmbimit. Monedha jonë ka një stabilitet të konsiderueshëm, krahasuar me monedhat e vendeve të rajonit, por edhe më gjerë”, deklaroi sot Guvernatori Gent Sejko.

Gjatë konferencës për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare, Sejko iu përgjigj interesit të mediave nëse BSH ka marrë ndonjë masë për forcimin e euros dhe çfarë efektesh të tjera pritet të ketë në treg.

“Banka e Shqipërisë ndjek një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Në këtë kuadër, kursi përcaktohet nga kërkesa dhe oferta. Politikat e Bankës së Shqipërisë nuk kanë si objektiv arritjen e një niveli të caktuar të kursit të këmbimit, duke qenë se është regjim i lirë”, sqaroi Sejko.

Në rast se ka luhatje të mëdha të kursit të këmbimit, dhe nëse plotësohen kriteret e përcaktuara prej saj, tha ai, Banka e Shqipërisë bën ndërhyrje në treg. “Në rastin konkret, ne nuk kemi gjykuar se janë përmbushur kriteret e përcaktuara për të ndërhyrë. Kursi është përcaktuar nga faktorët e kërkesës dhe ofertës. Javën e kaluar kemi patur një mbiçmim të monedhës tonë lek, i cili ka zgjatur për dy ditë dhe pastaj kursi është rikthyer në tendencat e tij të mëparshme. Operacionet dhe kuotimet e bankave tregtare dhe agjentëve të tjerë që operojnë me kursin e këmbimit janë stabilizuar”, deklaroi Guvernatori.

Ai tha më tej se edhe analizat e Bankës së Shqipërisë për një periudhë më të gjatë kohore, tregojnë se kursi i këmbimit, kryesisht euro-lek, por edhe për monedhat e tjera, është përcaktuar nga faktorë fondamentalë.

“Për momentin, duhet thënë se kursi është ristabilizuar pas luhatjeve të tregut të javës së kaluar. Nuk parashikojmë që të ketë luhatje të tjera, por e theksoj dhe njëherë se kursi përcaktohet nga kërkesa dhe oferta të tregut. Ne nuk kemi objektiv të ndërhyjmë në kursin e këmbimit”, deklaroi Sejko. ata

Aktualitet

Archives