Mjeku Kraja: 9 të shtruar në spital infektiv Tiranë, të pavaksinuar më parë

Prof. Dhimitër Kraja, mjek në Spitalin Infektiv në QSUT, gjatë mbledhjes së radhës të Komitetit Teknik të Ekspertëve, tha se “të shtruarit në spitalin COVID 1 nuk janë pacientë që janë vaksinuar më parë apo kanë kaluar sëmundjen. Me përjashtim të një rasti, i cili ka bërë vetëm një vaksinë dhe nuk e ka bërë dozën e dytë të vaksinës”.

“Në spitalin COVID 1 të Tiranës ndodhen 9 pacientë të shtruar nga mosha 69-72 vjeç, të cilët kanë këto karakteristika. Gjendja e tyre e përgjithshme është e kënaqshme, pavarësisht se ka diferenca nga rasti në rast”, – tha Kraja.

Sipas tij, vazhdon po ajo situatë epidemiologjike e këtyre rasteve të shtruara.

Prof. Kraja bëri të ditur se “situata është e mirë. Nuk kemi pasur edhe javës që kaloi raste shumë të rënda që quhen kritike, nuk ka pasur vdekje. Pavarësisht se gjendja e shtrimeve reflekton këtë prirje që po ndodh 2-3 javët e fundit të shtimit të rasteve, por nuk reflektohet në format e rënda, ato vdekjeprurëse”.

I pyetur se çfarë protokolli do të ndiqet për rastet që do të vijnë me “Delta” në spital, prof. Kraja u shpreh se “mënyra sesi virusi dëmton trupin, me të cilin merren pastaj mjekët, nuk ka ndryshuar. Ne kemi protokolle mjaft të mençura, të sakta, moderne, sa i përket llojit të medikamenteve, cilësisë së tyre, si dhe kemi një strukturë kompozimi të mjekimit, e cila rezulton dhe është efikase”.

“Në rast se literatura botërore, spitalet dhe klinikat më të mira në botë, të cilat ne i ndjekim rregullisht si ekip do të kenë modifikime të skemave apo medikamenteve, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë do ti përgjigjemi në mënyrë korrekte dhe të saktë”, – tha prof. Kraja.

ata

Aktualitet

Archives