Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias në Tiranë

Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, u takuan të premten në Tiranë në vazhdën e dialogut intensiv të mekanizmit dypalësh për zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve.

Ministrat shqyrtuan progresin e shënuar prej takimit të janarit të mbajtur në Korçë që është materializuar në një sërë zhvillimesh pozitive, tashmë të bëra publike nga palët.

Bushati dhe Kotzias u dakordësuan për hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në muajt e ardhshëm, në funksion të avancimit të procesit dhe gjetjes së zgjidhjeve të mirëpranuara për çështjet ende në diskutim. Ata i kushtuan një vëmendje të posaçme punës në proces për finalizimin e Dokumentit të Partneritetit Strategjik, në përputhje me vullnetin e palëve për të forcuar dimensionin evropian të marrëdhënieve shqiptaro-greke.

 

Ministri i Jashtëm Bushati, përpara takimit me  homologun e tij grek para mediave  nuk komentoi anulimin e vizitës së  kryeministrit grek, i planifikuar në  prill, por foli për vijimin e punës në organizimin e tij.

“…Punojmë edhe për takimin e nivelit të lartë, pra për takimin e dy kryeministrave…”.

 

Ndërkaq Ministri Bushati deklaroi për disa progrese që janë dukë u bërë me palën greke…

Çështjet që kanë mbetur ende në tryezë, janë:
1.Marrëveshja e detit,

2.Çështja e minoritetit grek dhe zbatimi i dispozitave të ligjit të ri për pakicat kombëtare,

3- Heqja e ligjit të luftës,

Të pazgjidhura mbeten gjithashtu edhe çështja e librave shkollorë, për emërtimet ‘Çamëri’ dhe ‘Shqipëri e Madhe’, për të cilat pala greke insiston të hiqen, demarkacioni i kufijve tokësore dhe hartimi i një marrëveshjeje të re të miqësisë midis dy vendeve.

 

Ndërkohë në lidhje me takimin Bushati-Kotzias, ka reaguar kryetari i Partisë Drejtësi Integrim Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, i cili duke iu referuar bisedimeve për çështjet e hapura mes dy vendeve thekson se çështja e shqiptarëve të Çamërisë mbështetet mbi ligjin e Parlamentit të Shqipërisë të vitit 1994, që e njeh 27 qershorin si ditën e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë dhe rezolutën për çështjen çame.

 

Që nga muaji nëntor i vitit të kaluar mes zyrtarëve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Greqisë, janë mbajtur disa takime dhe raunde bisedimesh, mbi çështjet e hapura mes dy vendeve, me fokus arritjen e marrëveshjes për kufizimin e zonave detare dhe shfuqizimin e ligjit të luftës nga Greqia.

Ndërkohë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse do të ketë një takim mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologut të tij grek, Alexis Tsipras.

 

Aktualitet

Archives