Ministri i jashtem turk: Jemi në Tiranë për të diskutuar marrëdhëniet bilaterale Turqi-Shqipëri dhe për agjendën tonë të përbashkët

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu gjatë një vizitë që po zhvillon në Tiranë, tha se Shqipëria nuk është vetëm një shtet me të cilin Turqia ka bashkëpunim në rajon, por edhe shtet mik me lidhje historike.

Ministri turk gjithashtu realizoi një takim edhe me anëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Shqipëria nuk është vetëm një shtet me të cilin Turqia ka bashkëpunim në rajon, por edhe mik i vërtetë me lidhje të lashta dhe historike”, tha kryediplomati turk gjatë takimit.

Çavuşoğlu theksoi se bashkëpunimi midis dy vendeve ka një kontribut të madh për mbështetjen e bizneseve prestigjioze turke dhe shqiptare. Ai tha se investimet e firmave turke në Shqipëri janë në rritje të vazhdueshme dhe se ato aktualisht kapin vlerë prej rreth 2,5 miliardë dollarëve.

Do të kemi mundësinë që të shprehim dëshirën tonë për të ndihmuar në fusha të ndryshme, sidomos në sektorin e edukimit. Me Shqipërinë si një shtet mik së bashku hedhim hapa përpara. Bashkëpunimi midis dy vendeve ka një kontribut të madh për mbështetjen e bizneseve prestigjioze turke dhe shqiptare. Shikojmë se ka një rritje të investimeve të kompanive prestigjioze. Kemi dhe një rritje të numrit të anëtarëve dhe kjo na bën krenarë”, deklaroi Çavuşoğlu.

Është e rëndësishme të rrisim investimet edhe në anën kualitative. Aktivitetet që dhoma organizon janë shumë të rëndësishme për të ardhur në ndihme projekteve që janë të nevojshme në Shqipëri, që janë të rëndësishme për rritjen ekonomike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat e Ballkanit“, shtoi ai.

Sipas ministrit të Jashtëm të Turqisë, të rëndësishme janë edhe projektet për t’i ardhur në ndihmë popullsisë.

Për marrëdhëniet ekonomike do të punojmë vazhdimisht. Kemi marrëdhënie shumë të ngushta me kryeministrin e Shqipërisë dhe do të hedhim hapa të rëndësishëm për zhvillimin e projekteve të ndryshme. Kemi krijuar mekanizma të ndryshëm për ekonominë. Kemi besimin së marrëdhëniet ekonomike dypalëshe do të kenë një rritje”, tha ministri Çavuşoğlu.

Seyhan Pencablıgil, kryetar i Bordit Drejtues të ATTSO-së, theksoi gjatë takimit se kjo organizatë është krijuar për të mbështetur marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë dhe, sipas tij, anëtarë janë edhe kompani shqiptare.

 

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, në kuadër të vizitës së tij zyrtare ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në universitetin e Fondacionit Turk Maarif, Universitetin “New York Tirana”.

Ministri Çavuşoğlu mbajti një fjalë përshëndetëse  ku citoi se “Fondacioni Turk Maarif ka mbështetjen tonë të plotë dhe përgjatë dy viteve është shumë aktiv në mbi 30 vende me shkollat dhe universitetet, si dhe me hapjen e shkollave të reja”, tha ministri turk.

Ministri Çavuşoğlu gjithashtu i konsideroi të rëndësishme marrëdhëniet mes dy shteteve, por edhe mes dy popujve.

Po ashtu, në fjalën e tij, shefi i diplomacisë turke theksoi nevojën që organizatat dhe sistemet ndërkombëtare të jenë më efikase.

Ai po ashtu tha se organizata terroriste FETO është mjaft aktive në Shqipëri dhe shtoi se ajo do të përbëjë kërcënim për cilindo shtet që e toleron atë.

Çavuşoğlu tha se Ballkani ka vend të posaçëm në politikën e jashtme të Turqisë, duke theksuar se Turqia do të kontribuojë për stabilitetin dhe mirëqenien e këtij rajoni.

Ministri turk gjithashtu nënvizoi se Turqia do të kontribuojë në vendet e Ballkanit edhe përmes investimeve.

Ministri Çavuşoğlu, i cili po qëndron për vizitë në Shqipëri, gjatë ditës së premte po realizon takime me zyrtarë të lartë të Shqipërisë, si kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, si dhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtëm, Ditmir Bushati, me të cilin do të mbajë një konferencë të përbashkët për mediat. Të gjitha këto zhvillime dhe takime do i pasqyrojmë në edicionet e tjera të ardhshme.

 

Aktualitet

Archives