Ministri Di Maio konfirmon mbështetjen e Italisë për perspektivën europiane të Shqipërisë

Ministri italian i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Luigi Di Maio, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, e përqendruar në marrëdhëniet shumë të ngushta dypalëshe mes Italisë dhe Shqipërisë, të dëshmuara nga dërgimi i mjekëve shqiptarë në fazat kritike të pandemisë në Itali si dhe në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian drejt Shqipërisë, sipas një komunikate të Ministrisë së Jashtme të Italisë.

”Di Maio falënderoi ngrohtësisht kryeministrin Rama për dërgimin e personelit shëndetësor në Itali në muajt më të vështirë të pandemisë COVID-19 duke e konsideruar përballjen me virusin si një fushë të re bashkëpunimi midis Romës dhe Tiranës. Bashkëpunimi në luftën kundër koronavirusit forcon më tej partneritetin midis dy vendeve, gjithashtu në lidhje me sfidat ekonomike të shkaktuara nga emergjenca globale shëndetësore”, shtohej në këtë komunikatë.

”Di Maio shprehu vlerësimin për përparimet e fundit të bëra nga Shqipëria në reformat e nevojshme për përparimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Italisë për perspektivën evropiane të Shqipërisë, duke përsëritur shpresën italiane se fillimi i negociatave të pranimit mund të materializohej sa më shpejt që të ishte e mundur”, përfundon komunikata e Ministrisë së Jashtme të Italisë. ATA

Aktualitet

Archives