Ministrat me “zemër të ngrirë”, Rama do vendosë për fatin e tyre

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një takim me ministrat si dhe me krerët më të lartë të grupit parlamentar ku do të diskutohen rezultatet nga reformat e kërkuara. Takimi do të zhvillohet në vilën qeveritare të qytetit bregdetar të Vlorës, ku ministrat e qeverisë do të japin llogari për projektet e realizuara përgjatë një viti si dhe për ato të mbetura pezull.

Në takimin e sotëm në Vlorë, ministrat në prani të kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Balla, do të paraqesin projektet e realizuara përgjatë një viti si dhe ato të mbetura pezull. Pikërisht prej këtij raportimi do të merret dhe vendimi për emrat që do të ndryshojnë në shtator në kabinetin qeveritar si dhe ata që do të konfirmohen në detyrë. Njësoj si herën e kaluar, në këtë mbledhje kryeministri do të jetë vetëm me anëtarët e qeverisë, të cilët do të raportojnë mbi realizimin e detyrave dhe objektivave, që secili dikaster kishte të përcaktuara kur qeveria “Rama 2” nisi punën shtatorin e kaluar.

Nga kjo mbledhje,kryeministri nuk pritet të dalë me një vendim në lidhje me fatin e ministrave të tij, për të cilët Rama do të vendosë më tutje, në fillim të shtatorit, kur pritet që Partia Socialiste të mbajë dhe mbledhjen e radhës së Asamblesë së saj Kombëtare. Pas kësaj takimet do të vazhdojnë me mbledhjen e Asamblesë të PS ku dhe kryeministri Rama do të bëjë të ditura ndryshimet.

Raportimi i ministrave do konsolidojë bindjen e kryeministrit mbi performancën e ministrave të tij, gjë nga e cila varet e ardhmja e tyre në qeveri. Pritet që në fillim të shtatorit Rama të bëjë ndryshime në kabinetin e tij ndryshime që do t’i konfirmojë jo më parë se në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS në javën e parë të shtatorit.
Gjatë asamblesë socialistët do të mësojnë në një kohë me shikuesit, se cilët emra do të ndryshojnë në kabinetin qeveritar dhe cilët do konfirmohen në detyrë.

Edi Rama do të vijojë të mbajë në ankth deri në fund, të gjithë anëtarët e qeverisë, të cilët pritet të mësojnë fatin e tyre “live”, njësoj me publikun, në mbledhjen e Asamblesë, njësoj siç ndodhi gati një vit më parë, kur shtatorin e kaluar, ata që janë sot ministra e mësuan njëherazi me anëtarët e Asamblesë se ishin përzgjedhur nga kryeministri.
Një vit më parë, pas shpalljes së kabinetit të ri, kryeministri zhvilloi dy takime të tilla në Llogora dhe në Shëngjin, pak ditë më vonë.

Takimet i shërbyen hartimit të prioriteteve të qeverisë dhe programit qeverisës, që u prezantua nga kryeministri me nisjen nga puna të parlamentit të ri. Në vitin e parë qeverisës, kryeministri vijoi punën e tij me të njëjtin kabinet, pa bërë asnjë ndryshim ministrash. Pritet që në shtator kryeministri Rama të bëjë ndryshime të ministrave të tij, për shkak të nevojës për impulse të reja në qeveri. Një vit deri qershorin e ardhshëm, kur Këshilli Europian do të marrë një vendim për negociatat me Shqipërinë, kryeministri do të kërkojë një ritëm të ri të kabinetit të tij.

Aktualitet

Archives