Meta: Shqipëria është kthyer në një model pozitiv në rajon

“Mëngjesi i Lutjeve”, organizuar nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë ka mbledhur në Tiranë zyrtarë të lartë nga vendet e Evropës Juglindore, por edhe nga vende të tjera, në eventin që ka si mesazh “Dashurinë për fqinjët”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitet mbajti një fjalë përshëndetëse presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cila tha se Shqipëria është kthyer në një model pozitiv në rajon, sipas tij, si një vend që ndërton marrëdhënie shumë të mira me fqinjët.

“‘Duaje fqinjin tënd’, parim njerëzor që vjen nga librat e shenjtë, gjendur dhe shprehur në mënyra të ndryshme në secilin besim fetar. Historia e Shqipërisë e dëshmon këtë vlerë, të mbartur e të trashëguar nga e kaluara e popullit tonë. Ne shqiptarët ashtu si edhe në të shkuarën, vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen tonë bazuar në këto vlera të larta dhe fisnike kombëtare dhe universale. Besojmë fort që një ditë jo të largët, të bëhemi pjesë e Evropës së bashkuar, duke bashkëjetuar harmonisht me fqinjët tanë. Të lutemi për suksesin e dëshiruar të dialogut Prishtinë-Beograd dhe për zgjidhje të çështjes së emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë”, tha Meta.

Ai shtoi se “Si një vend ballkanik, e dimë mirë, se të duash fqinjin nuk është aq e lehtë, veçanërisht kur luftëra dhe tragjedi kanë ndodhur në të shkuarën tonë të afërt.”

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili gjatë fjalës së tij tha se “Ne duhet ta respektojmë njëri-tjetrin dhe duhet të jemi pranë njëri-tjetrit. Kosova mendon për të ardhmen, mendon për respektin ndaj fqinjëve. Rajoni ka nevojë për paqe.”

“Mëngjesi i 15-të i Lutjeve” për Evropën Juglindore rikthehet në Tiranë pas 15 vjetësh, ndërsa mesazhi kryesor i këtij aktiviteti dyditor është “Dashuria për fqinjët.” Në këtë aktivitet të pranishëm janë edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, përfaqësues të lartë të parlamenteve e qeverive nga vendet e Evropës Juglindore dhe vende të tjera.

Aktualitet

Archives