Mesazhi i Fundvitit i Kryeministrit Rama/ Tërmeti i shtetit do të bjerë në themelet e botës së krimit, zgjidhje përfundimtare problemit të pronës

 “Viti 2020 duhet të shënohet si viti i vënies përpara lupës së ligjit të çdo pasurie që buron nga krimi. Për këtë, ne jemi gati për ofensivën më shembullore ndaj botës së krimit dhe kapedanëve të asaj bote, të cilët do t’i përballim me Forcën e Ligjit”, – u shpreh Kryeministri Rama në mesazhin drejtuar shqiptarëve me rastin e Vitit të Ri 2020.

“Me të nisur viti i ri, tërmeti i shtetit do të bjerë në themelet e botës së krimit që i bëjnë karshillëk komunitetit, shoqërisë dhe këtij vendi, i cili nuk e meriton njollën e pisllëkut të tyre në sytë e botës. Kush ka kryer krime duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë ose duhet ta humbasë pasurinë”, – theksoi Kryeministri.

“Viti 2020 duhet të shënohet si viti i fillimit të një historie të re shqiptare, në administrimin e në zhvillimin e bregdetit të mrekullueshëm të Shqipërisë”, – shtoi ai, duke theksuar se zaptimi i plazheve dhe pamundësia e njerëzve të këtij vendi për të zgjedhur, sipas dëshirës e mundësisë së tyre, nëse duan të shkojnë në një plazh publik apo në një plazh me pagesë, duhet të marrin fund.

“Po kjo është vetëm A-ja, sepse me radhë, duhet të ndalohet çdo lloj ndërtimi i mëtejshëm pa plan, pa kuptim, pa cilësi e pa asnjë përputhje me ambicien e Shqipërisë turistike. Shqipëria ka nevojë për projekte dhe investime që e kthejnë potencialin e vijës sonë bregdetare, në një burim fuqie ekonomike transformuese dhe krenarie kombëtare”, – theksoi Rama.

“Viti 2020 duhet të shënohet si viti i nisjes së investimeve të huaja serioze në vijën bregdetare dhe i investimeve vendase të cilësisë së parë, duke krijuar kapacitete pritëse për turizmin e shtrenjtë, që sjell më shumë të ardhura dhe krijon më shumë vende të reja pune të paguara më mirë”, – theksoi ai.

“Viti 2020 duhet të shënohet si viti i zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës për dhjetëra-mijëra familje në fshat që janë kthyer në kufijtë e vjetër pa asnjë konflikt me fqinjët rreth tyre. Kanë 30 vjet që presin në tokën e stërgjyshërve dhe as e shesin dot, as aplikojnë dot për financime nga shteti ose nga institucionet financiare, sepse nuk e gëzojnë dot ligjërisht, pasi e kanë të pamundur ta regjistrojnë”, – theksoi Kryeministri Rama.

Dhe jo vetëm kaq, sipas Ramës, “falë ndryshimeve të mëdha ligjore që duhet të kalojmë në fillim të vitit të ri, të adresojmë dhjetëra-mijëra dosje të mbetura pezull në procesin e legalizimit të tokës a të banesës, si rezultat i bllokimeve ligjore”. ATSH

Aktualitet

Archives