Mërgim Mavraj fare pranë kalimit tek Fenerbahçe në Turqi

Mërgim Mavraj është fare pranë kalimit në Superligën e Turqisë. Mbrojtësi shqiptar shpreson të largohet sa më shpejt nga Hamburgu dhe të ringjallë karrierën e rrezikuar muajt e fundit.

Tek Hamburgu shkoi si mbret, por përfundimi ishte i hidhur. Mërgim Mavraj, përtej përvojës dhe talentit, mbeti jashtë skuadrës në klubin e famshëm të Bundesligës, por tashmë ka një shans për të ringjallur karrierën.

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është pranë finalizimit të marrëvëeshjes për të kaluar tek Fenerbahçe në Superligën e Turqisë.

Skuadra turke u shpall nënkampione këtë sezon dhe do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, duke nisur nga turi I tretë eleminator, pra nëse Mavraj kalon aty, do të ketë mundësi të luajë në garën më të madhe të klubeve në Europë.

Shqiptari nga Kosova e ka të domosdoshme të gjejë sa më shpejt një skuadër, për të vijuar karrierën, aq më tepër në moshën kritike 31-vjeçare.

Kjo do ta bënte të kthehej në nivelet e dikurshme, kur ishte një nga emrat kryesorë të kombëtares, që u kualifikua për në fazën finale të Euro 2016-ës në Francë.

Nëse shkon në Turqi, kjo do të ishte hera e parë në karrierë që Mavraj do të largohet nga Gjermania, ku ka luajtur për 13 sezone, duke shkëlqyer me Darmshtatin, Bohumin, Grojter Fyrtin, Këlnin dhe Hamburgun.

Aktualitet

Archives