Mbledhje e parë e përbashkët qeveritare Shqipëri-Maqedoni

Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë mbajnë sot takimin e parë të përbashkët ndërqeveritar në Pogradec. Delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë, i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev (R) është pritur me ceremoni zyrtare nga kryeministri shqiptar, Edi Rama (L), ndërsa më pas ka filluar mbledhje e përbashkët qeveritare Shqipëri-Maqedoni. ( Dhorjela Cule - Anadolu Agency )

Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e  Maqedonisë mbajtën të premten pasdite takimin e parë të përbashkët ndërqeveritar në Pogradec, një hap i rëndësishëm që do të forcojë marrëdhëniet mes dy shteteve, por dhe do të ofrojnë më shumë zhvillim për qytetarët e dy vendeve.

Delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë, i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev është pritur me ceremoni zyrtare, ndërsa më pas ka filluar mbledhja e përbashkët qeveritare Shqipëri-Maqedoni.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama e vlerësoi “një moment kyç për historinë e përbashkët”.

“…Kemi ndarë angazhimin dhe vendosmërinë për ndërtimin e një rajoni të ndërlidhur nga pikëpamja ekonomike dhe infrastrukturore pa barriera të panevojshme në qarkullimin e kapitalit, të njerëzve dhe ideve. Është parashikuar për një periudhë të shkurtër rehabilitimi i segmentit rrugor Qafë Thanë-Pogradec-Korçë. Nuk ka dyshim për ne se vijueshmëria e këtij korridori do të sjellë përfitime të mëdha për dy ekonomitë, shkurtimin e distancën midis Tiranës dhe Shkupit si dhe më shumë akses të Maqedonisë me portet tona..”.

 

Ndërsa, Kryeministri maqedonas foli për bashkëpunim në infrastrukturë dhe në fushën e sigurisë.

“…Shqiptarët në Maqedoni janë një urë e vërtetë e bashkëpunimit. Presim në 2018 të nisim negociatat, si Shqipëria dhe Maqedonia për në BE. Maqedonia dhe Shqipëria ndajnë vizionin për një rajon me prosperitet të integruar në NATO. Mbështetja e Shqipërisë në këtë drejtim për Maqedoninë ka mirënjohje. Falënderoj qeverinë shqiptare për mbështetjen e Shqipërisë në NATO. Ftoj qeverinë që vitin tjetër të mbajmë mbledhjen e dytë të përbashkët në Ohër ose në Strugë…”

 

Midis çështjeve që janë diskutuar në mbledhje ishin ndërtimi i korridorit 8-të, që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, çka do të rriste shkëmbimet tregtare si dhe tema të sigurisë, përmirësimi i mëtejshëm i marrëdhënieve, si dhe janë nënshkruar edhe disa memorandume bashkëpunimi.

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët qeveritare kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, ku janë ndaluar në bashkëpunimin mes dy vendeve, procesin e integrimit euro-atlantik, bashkëpunimin rajonal dhe çështje të tjera.

Çështjet infrastrukturore ishin tema kryesore e kreut të qeverisë shqiptare, duke përmendur linjën hekurudhore Ohër-Lin. Rama theksoi se deri në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive do të punohet për një doganë të përbashkët në Qafë-Thanë.

Një çështje tjetër ishte marrëveshja e Ohrit, për të cilën Rama tha se kishte marrë garanci nga homologu Zaev për zbatimin përfundimtar të saj.

 

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë maqedonase Zoran Zaev u shpreh i bindur se ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në administratë do të aprovohet në fund të janarit 2018.

“…Gjuha ka kaluar fazën e  parë në parlament, dje përfundoi dhe debati i komisionit të çështjeve europiane, ku pas shqyrtimit të amandamenteve u rrumbullakësua dhe kjo fazë. Tani duhet që kryetari i parlamentit të caktojë seancën ku do të diskutohen amendamente dhe ku përfundimisht do të diskutohet për ligjin.Ftoj të gjitha partitë politike të mbështesin këtë ligj sepse ky ligj paraqet një dretim bashkëkohor, një shoqëri për të gjithë ku në pajtim me Kushtetutën qytetarët e bashkësisë së dytë sipas madhësisë, shqiptarët por gjithashtu edhe pjestarët e bashkësisë të tjera do të fitojnë një realizim të të drejtës së tyre kushtetuese, përdorimit të gjuhës së tyre amtare. Duke shkuar drejt Europës pres që Maqedonia të mbështesë me konsensus të gjitha këto zgjedhje europiane. Shpresoj se ligji do të aprovohet diku në fund të janarit në pajtim me axhendën që do të paraqitet nga kryetari i Kuvendit…”.

 

Aktualitet

Archives