Mbi 3 mijë të vdekur nga përmbytjet në Libi

Autoritetet lokale njoftuan se numri i të vdekurve nga pasojat e stuhisë “Daniel” dhe përmbytjet në Libinë lindore ka shkuar në mbi 3.000, dhe se disa mijëra njerëz janë ende të zhdukur.

Duke folur për Anadolu, Othman Abdul Jalil, ministri i shëndetësisë i qeverisë së emëruar nga parlamenti, tha se shumica e viktimave ishin në qytetin bregdetar Derna.

Bengazi, Bayda, Al-Marj dhe Soussa janë ndër qytetet dhe vendet e tjera të prekura nga fatkeqësia e fundjavës.

Jalil tha se mijëra njerëz janë zhdukur në fatkeqësinë e përmbytjeve, por nuk dha një shifër të saktë.

Më herët, një burim nga Gjysmëhëna e Kuqe Libiane tha për Anadolu se numri i të vdekurve në rajonet e prekura arriti në 2.800 dhe se shumica e njerëzve vdiqën nga mbytja ose shembja e ndërtesave të banimit.

Rreth 7.000 familje janë ende të bllokuara në zonat e prekura dhe operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar për evakuimin e tyre.

Gjysmëhëna e Kuqe Libiane humbi katër nga punëtorët e saj ndërsa ndihmonin në përpjekjen e shpëtimit.

Abdul Hamid Dbeibeh, kreu i qeverisë së unitetit me bazë në Tripoli, i shpalli të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet vdekjeprurëse zona të fatkeqësisë dhe shpalli tri ditë zie kombëtare.

Georgette Gagnon, koordinatore humanitare e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Libi, tha se është “thellësisht e pikëlluar” nga ndikimi katastrofal i stuhisë dhe ngarkoi ekipin e reagimit emergjent të mbështesë autoritetet lokale dhe partnerët në rajon.

Mbi 2 mijë të vdekur nga përmbytjet në Libi

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në qytetin Derna në Libinë lindore është rritur mbi 2 mijë.

Siç raporotn agjencia libiane e lajmeve LANA, kreu i qeverisë së emëruar nga parlamenti, Ossama Hamad, tha se mijëra të tjerë besohet se janë të zhdukur.

Hamad gjithashtu tha se blloqe të tëra banimi u “fshinë nga dheu” pasi ato u përfshinë nga përmbytjet në Derna.

Më herët, kreu i qeverisë së unitetit me bazë në Tripoli, Abdul Hamid Dbeibeh, shpalli të gjitha zonat e ekspozuara ndaj stuhisë dhe përmbytjeve si “zona fatkeqësie”.

Dbeibeh gjithashtu shpalli tre ditë zie kombëtare për viktimat e përmbytjeve vdekjeprurëse që shkatërruan vendin e Afrikës Veriore.

Dje, stuhia ‘Daniel’ përfshiu disa zona në Libinë lindore, më së shumti qytetet Banghazi, Bayda dhe Al Marj, si dhe qytetet Soussa dhe Derna.

Avionë me ndihma dhe ekipe shpëtimi nga Türkiye nisen për në Libi

Avionë me ndihma humanitare dhe ekipe shpëtimi nga Türkiye kanë fluturuar drejt Libisë, e cila është goditur nga përmbytje shkatërruese të shkaktuara nga stuhia, raporton Anadolu.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes e Türkiyes, dy avionë janë nisur drejt Libisë, ndërsa avioni i tretë po përgatitet për nisje drejt këtij “vendi mik dhe vëlla”.

Ndihma është dërguar me urdhër të presidentit të Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan​​​​​​​.

Aktualitet

Archives