Maqedoni-Zaev: Qytetarët u prononcuan “për” marrëveshjen me Greqinë dhe anëtarësimin në BE dhe NATO

Në referendumin e sotëm votuan mbi 650 mijë qytetarë. Nga qytetarët të cilët votuan, mbi 90 për qind zgjodhën dhe porositën se Republika e Maqedonisë duhet të pranojë marrëveshjen dhe të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së, deklaroi kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev në konferencën për mediat pas përfundimit të referendumit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Zaev tha se dita e sotme, është një ditë e rëndësishmë për shtetin dhe për qytetarët të cilët, siç tha, votuan me dinjitet duke thënë se e ardhmja e vendit është në NATO dhe në BE.

Ai më tej shtoi se Maqedonia evropiane mori më shumë vota “për”, nga secili fitues i ndonjë cikli parlamentar zgjedhor në historinë e Maqedonisë së pavarur.

“Edhe sikur të kishte cenzus, edhe sikur të kishte një milion e 100 mijë të dalur, ky rezultat prej mbi 600 mijë vota “për”, do të nënkuptonte përcaktimin e qartë për Maqedoni evropiane. Të nderuar qytetarë, populli bëri një zgjidhje shumë të rëndësishme, qytetarët thanë Po”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, shprehu mirënjohjen e tij për anëtarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët siç tha, morën përgjegjësinë ndaj atdheut të tyre dhe votuan në përputhje me vullnetin, pavarësisht se partia e tyre thërriste për bojktot.

Zaev i bëri thirrje opozitës dhe të gjitha partive politike të bashkohen për interesin shtetëror dhe kombëtar dhe të lënë mënjanë interesat e ngushta partiake.

Mes tjerash, ai theksoi se edhe opozita edhe qytetarët e dijnë se marrëveshje më të mirë me Greqinë nuk ka dhe nuk mund të ketë, si dhe se anëtarësimi në NATO dhe në BE nuk ka alternativë për vendin.

“Ky është momenti kur deputetët me vendimin e tyre duhet ta bëjnë Maqedoninë vend më të mirë, vend më të bukur për të jetuar çdo qytetarë. Në të kundërtën mjeti i vetëm tjetër demokratik që mbetet janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare menjëherë”, theksoi kryeministri Zaev.

Ai informoi se ka realizuar bisedë telefonike me kryeministrin grek Alexis Tsipras dhe se të dyja palët mbeten të përkushtuara në marrëveshjen.

I pyetur nga gazetarët nëse me këtë rezultat të referendumit mendon të jep dorëheqje, ai theksoi se nuk mendon të dorëhiqet, por përkundrazi, se është edhe më i bindur në atë që e bën “ta dërgojë Maqedoninë në BE dhe NATO”.

Sipas rezultateve jozyrtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, prej mbi 85 për qind të të dhënave jehona e daljes arrin 36.11 për qind, prej të cilave 91 për qind votuan “për”.

Gjithsej 1.806.836 qytetarë të Maqedonisë me të drejtë vote kishin mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës nga ora 07:00 deri në orën 19:00.

Pyetja e referendumit, që është i treti me radhë në nivel shtetëror në 27 vite të pavarësisë së Maqedonisë, është “A jeni për në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë”.

Ky referendum vjen pas marrëveshjes në qershor midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila parasheh ndryshimin e emrit të shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe paraqet kushtin kryesor për anëtarësim të vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me BE-në.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Aktualitet

Archives