Lobimi 675 mijë $ në SHBA/ Gjykata pushon çështjen për Bashën dhe zyrtarëve të PD-së

Gjykata e Tiranës në seancën e zhvilluar sot ka vendosur pushimin e çështjes për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi të cilët ishin marrë të pandehur për lobimin 675.000 dollarë në SHBA.

Nga përfaqësuesit e PD-së i pranishëm në Gjykatë ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike, një nga të pandehurit, Arben Ristani i cili dha një prononcim për mediet.

Ai tha se gjyqi ndaj tij është i montuar politik dhe një turp i Prokurorisë Shqiptare.

“Le t’i turpërojmë këta prokurorë që arrin dhe thonë falsifikim me mosveprim. Është një akuzë që nuk qëndron sepse nuk mund të ketë falsifikim me mosveprim”, tha ai.

I pyetur për shtetasin Nik Muzin, Ristani tha se “Nik Muzin s’ka pse kërkon garanci këtu. Nik Muzin t’ia kërkojë shtetit të vet. Shteti i vet po të jetë se do ketë të dhëna për veprimtari kriminale normalisht duhet ta kishte marrë të pandehur dhe duhet ta kishte vendosur në procedim. Por dhe fakti se nuk është në Amerikë për këtë çështje tregon që kjo çështje nuk ekziston por është një montim politik”.

Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi në një prononcim për mediet tha se vendimi i sotëm nga gjykata ishte për t’u përshëndetur.

“Vendimi i sotëm i gjykatës ishte një vendim drejtësie. U provua pas më shumë se 2 vite hetime nga ana e prokurorisë, se gjithçka ishte një akuzë tërësisht e sajuar, bazuar vetëm mbi spekulime, dhe u vërtetua katërciprisht se nga 2 vjet hetime nuk kishte asnjë lidhje Partia Demokratike dhe nuk kishte asnjë vepër penale. Nuk ishte shkelur asnjë ligj nga Partia Demokratike dhe as nga zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në vend tjetër”, tha ai. ATA

Aktualitet

Archives