Liberalizimi i tregut të transportit, mblidhen në Shkodër ministrat e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto zhvilloi një takim pune në qytetin e Shkodrës, me Ministrin e Transportit të Kosovës, Lutfi Zharku dhe atë të Malit të Zi, Ivan Brajovic. Takimi vjen në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Parisit, që do të mbahet në 4 korrik. Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, tha se takimi kishte në fokus të diskutimeve masat që 3 vendet duhet të marrin në kuadër të Samitit të Parisit.

“Fokusi ka qenë për masat e buta dhe liberalizimin e tregut të transportit mes vendeve. Me Malin e Zi duhet të përfundojmë disa protokolle për transportin hekurudhor. Po kështu folëm për të aplikuar modelin “one stop shop”, edhe me vendet e tjera të rajonit. Ky model po aplikohet me sukses me Malin e Zi dhe besojmë se do të marrë edhe mbështetjen e Komisioneres së Transportit, Violeta Bulc dhe Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn”, deklaroi Haxhinasto, duke informuar mbi takimin .

“One stop shop”, vijoi ai, duhet të jetë një proçedurë standarte në rajon. “Një çështje tjetër që diskutuam ishte edhe Traktatit i Komunitetit të Transportit, që synon liberalizim të shpejt të shërbimeve të transportit. Kemi folur edhe për pasjen e një mekanizmi më të mirë, për të koordinuar punën mes vendeve tona, për të menaxhuar më mirë fondet që vijnë nga investitorë të huaj dhe fondet publike”, tha Haxhinasto.

Ministri Haxhinasto tha se vendet e rajonit duhet të punojnë më shumë në nivel bilateral, për t’i dhënë një mesazh të qartë partnerëve se Ballkani Perëndimor është gati dhe kërkon më shumë investime në infrastrukturë.

Ministri i Transportit i Kosovës dhe ai i Malit të Zi vlerësuan këtë nisëm si shumë të rëndësishme, pasi nxit edhe më shumë bashkëpunimin mes vendeve dhe afron integrimin në BE. Ministri Brajovic, tha se i ka kërkuar mbështetjen Komisioneres së Transportit, Violeta Bulc, që të përshpejtohen proçedurat për fillimin e studimit të përbashkët të fizibilitetit për autostradën Adriatiko- Joniane

Aktualitet

Archives