Kurti bën thirrje për bashkëpunim me LDK-në

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili sipas rezultateve preliminare ka grumbulluar më shumë vota në zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare në Kosovë, i bëri thirrje Lidhjes Social Demokratike (LDK) për bashkëpunim në formimin e qeverisë së ardhshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas rezultateve të deritanishme të Komisionit Qendror Zgjedhor (KSHZ) nga gjithsej 94,23 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 25,74 për qind apo 193.931 vota kundrejt Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila ka siguruar 25 për qind apo 188.364 vota. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e treta me 21,24 për qind apo 160.033 vota.

Para mijëra mbështetësve të tij të cilët ishin tubuar për të festuar në sheshin “Skenderbeu” në qendër të Prishtinës, Kurti tha se pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, viti 2019 është një entuziazëm i tretë dhe valë e re, e cila sipas tij, do ta shpëtojë “shpirtin e Kosovës, do ta forcojë Republikën dhe do ta shtyjë vendin drejt zhvillimit, drejtësisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët”.

“Në qeverisjen tonë nuk ka më hajna në qeveri, nuk ka më hajna në institucione, por me shtetin e së drejtës hajnat do të luftohen, hetohen, gjykohen dhe dënohen në shoqëri kudo që janë. Jeta e ndershme do të jetë e lehtë, ndërsa jeta e kriminelëve do të jetë e vështirë deri në humbje të lirisë. Ne kemi humbur shumë në këto 20 vite, shumë mundësi janë shpërdoruar, por tani erdhi dita për ju qytetarë të Kosovës, për ju popull i Kosovës pa dallim”, deklaroi Kurti.

Kurti theksoi se do të punojë ngushtë me faktorët ndërkombëtar, me ata të cilët, siç tha ai, e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e kanë ndihmuar vendin në tejkalimin e sfidave. Ai theksoi se shteti i Kosovës ka nevojë për miq, përkrahje dhe ndihmë.

Aktualitet

Archives